Një prind ka publikuar një fotografi të një nxënësi me ngrohëse elektrike në duar, duke shkuar për në shkollë. Siç thotë një faqe lokale e komunës së Dragashit, nxënësi është i shkollës “Fetah Sylejmani” ku pretendon se shkolla ka mungesë të lëndëve djegëse, shkruan Insajderi.
Ndërsa, Drejtori i Arsimit, Zeni Krasniqi, tha për Gazetën Insajderi, se për shkak të problemeve që i kanë dal, në këtë shkollë janë detyruar të përdorin mundësi alternative për t’u ngrohur.
Por, siç thotë ai sigurimi i ngrohjes u bë nga shkolla.
“Kemi ngrohje në të gjitha shkollat, e kanë ba propagandë. Në të gjitha shkollat mësimi po mbahet, dru kanë. Vetëm në shkollën në atë në qendër është djeg kaldaja dhe kemi thirr mjeshtrin menjëherë që ka konstatuar se duhet të dal nga përdorimi. Ndërsa kemi përdor metoda alternative për ngrohje”, tha ai.
I pyetur për fotografinë ku një nxënës shihet me ngrohëse elektrike, drejtori tha se nuk ka informacion se ku është nisur personi në foto.
“Për fëmijën në foto Zoti e di se ku është nis, ka mundësi që edhe fëmija ta këtë marrë në shkollë”, tha Krasniqi./Insajderi.org/