Rezultatet preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tregonin se Ramiz Lladrovci, bindshëm ishte para kundër kandidatëve tjerë.
Lladrovci e la postin e ambasadorit të Kosovës në Republikën e Shqipërisë, për t’iu bindur besimit të partisë për këtë garë. Ai kishte hyrë me bindje të plotë për fitore.
“Unë do të fitoj. Kjo nuk bëhet fjalë”, kishte deklaruar Lladrovci.
Kandidati i Nismës për Kosovën, Isa Xhemajlaj, ishte i dyti që e ndiqte nga pas me numrin e votave. As atij nuk i mungonte bindja për fitore, madje pa balotazh.
“Unë mendoj se do të fitoj, dhe kësaj radhe do të përfundojë procesi pa balotazh”, kishte thënë Isa Xhemajli.
Rezultati preliminar, por edhe ai përfundimtar, nxori në garën e balotazhit pikërisht këta dy kandidat, pasi asnjëri nuk arriti votat e mjaftueshme për t’u bërë i pari i Drenasit qysh në rundin e parë.
Në garë ishin tetë kandidat: Ramiz Lladrovci (PDK), Isa Xhemajlaj (Nisma), Xhavit Drenori (kandidat i pavarur), Elmi Thaçi (AKR), Bedri Nika (LDK), Vehbi Berisha (Fjala), Naim Bazaj (kandidat i pavarur) dhe Rrahim Elshani (kandidat i pavarur).
Përderisa kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrivci, thotë se do t’i hyjë i vetëm garës së balotazhit, kandidatit të Nismës padyshim se i duhet bashkëpunimi me partitë tjera. Në këtë frymë, Nisma për Kosovën ka nënshkruar marrëveshje me AKR-në, për mbështetje në balotazh.
Por, marrë për bazë përqindjen e daljes në raundin e parë dhe numrin e votave që i kanë fituar të dyja këto parti së bashku, Nismës do t’i duhej edhe ndonjë bashkëpunim tjetër.
Mbledhja e votave të Nismës, AKR-së, LDK-së dhe partisë Fjala bëjnë 8731 vota, të cilat nuk e arrijnë rezultatin e votave të kandidatit të PDK-së që janë 9458.
Kandidati i pavarur, Xhavit Drenori, ka thënë se nuk do ta përkrahë asnjërin kandidat në garën e balotazhit. Nga kjo del se votuesit e tij do të jenë pothuajse përcaktues për fituesin, pasi ai mori 2633 vota, duke u renditur i treti në listë.
Në fakt, Drenori ka qenë pjesë e PDK-së, por që kohëve të fundit kishte funksionuar si asamblist i pavarur në Kuvendin Komunal të Drenasit.
Drenori ka deklaruar se personalisht nuk do ta votojë Ramiz Lladrovcin, të cilin nuk e sheh si shpresë për ndryshim në Drenas.
“Vota ime personale nuk shkon për Ramiz Lladrovcin”, kishte thënë Drenori pas rezultatit të zgjedhjeve.
Ai tha se nuk do t’ua sugjerojë as nuk do t’ua imponojë votuesve të tij se kë duhet ta votojnë më 18 dhjetor në balotazh.
Dy kandidatët tjerë të pavarur, Naim Bazaj dhe Rrahim Elshani, kanë marrë gjithsej 36 vota. Ata në fakt nuk kanë bërë fushatë për veten por për PDK-në, pasi kishin heqë dorë nga gara, por PZAP-ja i kishte kthyer në listën e kandidatëve për t’u votuar./Insajderi.com