“Kaloi pasurinë në emër të bashkëshortes”- Detaje të reja nga agjencia turistike e kosovarit qe u arrestua për shpëlarje parash në Zvicër - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    “Kaloi pasurinë në emër të bashkëshortes”- Detaje të reja nga agjencia turistike e kosovarit qe u arrestua për shpëlarje parash në Zvicër

    Insajderi
    05 August 2025 - 15:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nje kosovar është arrestuar në Zvicër në vitin 2024. Ai dyshohet për shpëlarje parash. Një valë arrestimesh pastaj kanë pasuar në Shqiperi po për të njëjtin rast. Vendimi i ri i Gjykates Federale Zvicerane zbulon se si kosovari barti gjysmen e pasurisë tek gruaja e tij.

    Gjykata Penale Federale e Zvicrës, në një vendim të datës 17 prill 2025 të cilin e ka parë Gazeta Insajderi, ka refuzuar kërkesën e të pandehurit për lirimin nga paraburgimi, duke argumentuar se ekziston ende rrezik i madh për manipulim të provave dhe bashkërendim me persona të tjerë që janë pjesë e hetimit.

    Gjykata konfirmon se i pandehuri ka kaluar një pjesë të pasurisë së tij në emër të bashkëshortes, çka konsiderohet si përpjekje për ta shpëtuar pasurinë nga konfiskimi eventual.

    Për më tepër, nga hetimet rezulton se pasuritë e përfituara nga veprimtaritë e dyshimta financiare dhe kriminale janë kaluar në emër të bashkëshortes së të pandehurit”, thuhet në vendim.

    Ky veprim është interpretuar nga organet gjyqësore si tregues i një rreziku real për pengim të drejtësisë, duke forcuar argumentin për vazhdimin e paraburgimit.

    Mekanizmat e pastrimit të parave të drogës në Zvicër

    Një vendim i Gjykatës Federale Penale në Zvicër ka ekspozuar mekanizmat e pastrimit të parave të drogës së shqiptarëve atje. Një skenë e nënvlerësuar dhe e padukshme që vepron në të gjithë vendin, siç përshkruhet nga mediat zvicerane.

    Siç raporton medium zviceran ‘Aargauer Zeitung’ një korrier i përshkroi hetuesve dërgesat e tij të rregullta të parave të drogës në një agjenci udhëtimesh në Lucern, përcjell Insajderi.

    Shkoni atje, sigurisht që e njihni njëri-tjetrin dhe ia dorëzoni paratë; çfarë i detyrohesha Z. A. Pastaj i shkrova ose e telefonova për t’i thënë se paratë ishin dorëzuar dhe kaq ishte. Fola për babanë tim, si ishin fëmijët dhe kaq ishte për mua. Nuk kisha nevojë të diskutoja për paratë. Punonjësit e agjencisë së udhëtimit e dinin se ato ishin për A. Të vetmet fjalë që u thanë ishin: ‘Ja ku është, është për të’, pastaj paratë u numëruan dhe kaq ishte“, deklaroi dërguesi i drogës.

    Përshkrimi vjen nga vendimi i apelit i Gjykatës Federale Penale në Bellinzona të Zvicrës, i prillit të kaluar. Shtetasi zviceran, me origjinë nga Maqedonia e Veriut, kishte kërkuar lirim nga paraburgimi dhe ndihmë ligjore falas. Gjykata i hodhi poshtë të dyja kërkesat. Me kërkesë të Zyrës së Prokurorit Federal, e cila e cilësoi hetimin në vazhdim si në rrezik, gjykata e shtyu publikimin e vendimit për muaj të tërë.

    Korrieri i parave në fjalë u arrestua në Zvicër në shtator të 2024-ës së bashku me pesë anëtarë të tjerë të dyshuar të një klani droge. Zyra e Prokurorit Federal po zhvillon procedura kundër bandës, e cila kishte selinë e saj në një agjenci udhëtimesh në Lucern, me dyshimin për pjesëmarrje ose mbështetje të një organizate kriminale, pastrim parave dhe trafik droge.

    Burri jo vetëm që mblodhi para nga celula të ndryshme droge në Zvicrën gjermanishtfolëse, por edhe ia çoi ato agjencisë së udhëtimeve. Ai veproi edhe si shofer për A., i cili konsiderohet kreu zviceran i këtij klani ballkanik. Ai veproi gjithashtu si “pikë mbledhëse” për fondet kriminale kur agjencia e udhëtimeve u mbyll.

    Ky person pretendon se ka qenë një figurë e vogël. Ai pretendoi se nuk e dinte që ishin të përfshira paratë e drogës. Avokati i tij nga Berna i shkroi gjykatës duke thënë se “Klienti i tij është i vetmi i pandehur që nuk refuzon të dëshmojë. Ai dha informacion të detajuar “rreth procedurës specifike” dhe dha një kontribut të rëndësishëm në “hetim””.

    Fakti që korrieri është i vetmi që bën deklarata mund të interpretohet edhe anasjelltas: se ai ka një pozicion veçanërisht të fortë në klan; se mund të përballojë të bëjë deklarata të caktuara ndërsa të tjerët duhet të heshtin, raporton tutje mediumi zviceran.

    Sipas vendimit të gjykatës, Zyra e Prokurorit Federal arriti në përfundimin se rezultatet e hetimit deri më tani tregojnë se burri “mund të ketë luajtur një rol shumë më të rëndësishëm në këtë skemë sesa atë të një korrieri të thjeshtë parash ose i një pike mbledhse parash që shërbente si alternativë ndaj një agjencie udhëtimesh”.

    Rasti i agjencisë turistike të Lucernit përfshin bandat shqiptare të përfshira thellë në tregtinë e kokainës dhe heroinës në Zvicrën gjermanishtfolëse. Pronari i agjencisë turistike dhe dy djemtë e tij thuhet se kanë përvetësuar më shumë se shtatë milionë franga zvicerane në pak më pak se një vit dhe i kanë kontrabanduar ato në Kosovë dhe në Shqipëri. Disa prej tyre fizikisht përmes rrugë tokësore, disa përmes sistemit popullor, pothuajse pa gjurmë, të Hawalës.

    Përmes këtij sistemi, paratë nuk transferohen as fizikisht dhe as elektronikisht. Për shembull, nëse klienti dëshiron të dërgojë një milion dollarë para droge në Tiranë, ai ia sjell ato në para të gatshme ofruesit të Hawala-s. Ta zëmë mund të jetë përmes një berberhaneje, një restoranti kinez ose kioske. Klienti më pas mund të tërheqë të njëjtën shumë nga partneri i biznesit përmes degës në Tiranë të ofruesit të hawala-s. Krejt kjo, përmes paraqitjes së një kodi.

    Skema “Luzerni” kishte vite që funksiononte. Të dyshuarit shkëmbenin emra dhe fjalë kodike të nevojshme për transaksionet nëpërmjet platformave të tilla si Surespot, Signal dhe Sky ECC. Hetuesit ishin në gjendje të verifikonin depozita, mesatarisht prej 60 mijë frangë (mbi 64 mijë euro) në ditë, vetëm në Surespot dhe Signal. Duke u bazuar në ditët e punës së agjencisë së udhëtimit gjatë një viti, kjo korrespondon me të ardhura prej gati 19 milionë frangë apo mbi 20 milionë eurosh. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark