×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Kamata mujore deri 10 mijë euro- Dosja e Prokurorisë për fajdexhinjtë e arrestuar në regjionin e Prizrenit

    Insajderi
    02 November 2024 - 13:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Policia me 31 tetor, ka realizuar një operacion të gjerë policor në Prizren dhe në Suharekë. Operacioni policor ishte shtrirë në 6 lokacione të ndryshme, ku janë arrestuar 6 persona të dyshuar, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale të ‘fajdesë’ dhe ‘detyrimit’.

    Gazeta Insajderi kishte raportuar se gjashtë të arrestuarit janë: Leotrim Muçaj, Bekim Kabashi, Lulzim Ahmetaj, Xhevdet Kokollari, Durim Gashi, Kujtim Kabashi.

    Të njëjtit kanë dal para Gjykatës, ku me kërkesën e Prokurorit Petrit Kryeziu u dërguan në paraburgim prej 30 ditësh.

    Në Gjykatën e Prizrenit, u tha se të dëmtuarit në formë borxhi kishin marrë para nga të lartpërmendurit.

    Si kishin funksionuar fajdexhinjtë?

    Insajderi merr vesh nga burimet nga Gjykata, se një viktimë kishte marrë nga i dyshuari i parë Leotrim Muçaj, 10 mijë euro për të hapur një restorant.

    Në pamundësi të pagesës viktima detyrohet të ia jap banesën.

    “Në kohë të pa vërtetuar gjatë vitit 2020 deri në fillimin e hetimeve dhe në vazhdimësi, në Suharekë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen financiare – personale në të cilën ishte futur i dëmtuari , në atë mënyrë që pasi i dëmtuari kishte filluar të merret me gastronomi për hapjen e një restoranti dhe i duheshin të holla për të investuar në biznes, merr 10,000 euro nga i pandehuri Leotrim Muçaj me kamatë mujore prej 10%, në pamundësi të pagesës me kohë, kamatat grumbullohen në shumën prej 30,000 euro dhe në pamundësi të kthimit të këtyre kamatave, i dëmtuari detyrohet t’ia jap banesën me sipërfaqe prej 112 m2 në vlerë prej 65,000 euro”, është thënë në Gjykatë.

    Në gjendje të rënduar viktima hyn sërish në borxh tek i dyshuari, i cili më pas kërkon të ia merr edhe banesën tjetër.

    “I dëmtuari në vitin 2022 sërish nga i dëmtuari merr 10,000 euro me kamatë mujore prej 10% dhe në pamundësi të kthimit në kohë, kamatat arrijnë vlerën 14,000 euro dhe në pamundësi të kthimit të këtyre të hollave nga i dëmtuari kërkon të marr banesë tjetër, e cila ka sipërfaqe 80 m2 me vlerë të tregut prej 44,000 euro, me ç’ rast në total i dëmtuari paguan në emër të kamatave për të pandehurin Leotrim Muçaj, shumën prej 89,000 (tetëdhjetë e nëntë mijë) euro, duke i shkaktuar të njëjtit dëm përkatësisht humbje në shkallë të madhe”, thuhet aty.

    Për të dyshuarin tjetër Durim Gashi në Gjykatë u tha se ka marrë interes mujor prej 10.000 Euro nga kamata që ia caktoi të dëmtuarit.

    “Nga muaji qershor 2021 deri në fillimin e hetimeve dhe në vazhdimësi, në Suharekë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton shuma dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen financiare – personale në të cilën ishte futur i dëmtuari , në atë mënyrë që pasi i dëmtuari nuk po arrinte të paguante kamatat te personat e tretë, në muajin qershor të vitit 2021, pasi dëgjon që i pandehuri Durim Gashi lëshon para me fajde, dhe aty fillimisht nga i pandehuri merr kesh shumën e të hollave prej 20.000 Euro me kamatë mujore prej 8%, pastaj nga ajo ditë brenda një muaji e gjysmë merr disa herë të holla kesh duke arritur në shumën e të hollave prej 120.000 Euro, të gjitha këto me kamatë mujore prej 8%, praktikisht me interes mujor prej 10.000 Euro, i dëmtuari për 12 muaj rresht arrin të paguaj kamata mujore nga 10.000 euro duke i dhënë gjithsejtë 120.000 euro në emër të kamatave”, u tha në Gjykatë, u tha në Gjykatë.

    Prokurori, Petrit Kryeziu, tha në Gjykatë se duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, ku të pandehurit tregojnë këmbëngulësi dhe tregohen të pa mëshirshëm në kryerje të veprës penale duke mos u ndalur për vite të tëra duke marrë kamata dhe duke i rritur të njëjtat ndaj viktimës, këto veprime të të pandehurve tregojnë personalitetin dhe këmbëngulësin e tyre në kryerje të veprave penale, të gjitha këto shtojnë dyshimin se me lënien e të pandehurve në liri, të njëjtit mund të përsërisin veprat për të cilat dyshohen.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark