Kandidati i Nismës për Kosovën për kryetar të Komunës së Drenasit, Isa Xhemajli, pretendon se kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli po “i blen kandidatët e pavarur për kryetar në Drenas”.
Xhemajli përmes një njoftimi me video të postuar në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka thënë se “Kadri Veseli e ka obligim t’u tregojë qytetarëve të Drenasit se sa i kushtojë blerja e kandidatëve”.
“Këto shit-blerje i bëri Kadri Veseli dhe grupi i tij. Kadri Veseli e ka obligim ndaj qytetarëve të Drenasit, t’u tregojë qytetarëve të Drenasit se sa i kushtojë blerja e kandidatëve. Unë i them atij, se ai mund t’i blejë dy, tre, ndoshta edhe pesë njerëz në Drenas, por nuk mund t’i blejë të gjithë qytetarët e Drenasit”, tha Xhemajli.
Ai shtoi e Veseli nuk mund të blejë e të shesë çfarë të dojë në Drenas, sikur të ishte i tij, sepse qytetarët e Drenasit e dinë tanimë se kush janë këta njerëz.
PDK ka afruar dy kandidat të pavarur për kryetar të Komunës së Drenasit, brenda dy ditëve të fundit, raporton Insajderi.
Naim Bazaj dhe Rrahim Elshani janë bashkuar me partinë që udhëhiqet nga Kadri Veseli, duke hequr dorë nga kandidatura e tyre. /Insajderi.com