Xhavit Drenori, kandidati i pavarur për kryetar të Drenasit ka bërë atë që asnjë kandidat i pavarur nuk e ka bërë në këtë qytet.
Ai madje ka arritur të marrë vota sa kandidatët e tri partive politike, LDK, AKR dhe Fjala.
Drenori që ka hyrë në Kuvendin Komunal të Drenasit me Partinë Demokratike të Kosovës, por që kandidoi si i pavarur pas pakënaqësive me partinë e tij, ka arritur të marrë vota gati sa tre kandidatët e partive së bashku.
Elmi Thaçi nga AKR-ja, Bedri Nika nga LDK-ja dhe Vehbi Berisha nga Partia Fjala së bashku kanë marrë 3 mijë e 50 vota teksa vetëm Drenori ka arritur të marrë 2 mijë e 437 vota.
Edhe pse i takonte PDK-së e cila ka udhëhequr në Drenas dhe ka shumicën absolute të asamblistëve, Drenori për çështje të ndryshme, ka kritikuar dhe akuzuar edhe bashkëpartiakët e tij, gjë që nuk kishte ndodhur shpesh në Drenas.
Njëjtë deshi të veproi edhe asamblisti tjetër Naim Bazaj, por ai u tërhoq nga akuzat dhe kandidatura pikërisht në natën kur i ftoi elektoratin ta dëgjojnë teksa do ta shpallte kandidaturën e tij të pavarur. Ishte shfaqur me Kadri Veselin dhe u fishkëllye.
Por Drenori edhe pse i përket PDK-së mbeti “opozitari” më i madh në Kuvendin Komunal të Drenasit.
Ai kishte kritikuar pushtetin lokal për keqqeverisje, punësime me favorizime, nepotizëm, ndërsa ka bërë edhe padi për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga zyrtarët e komunës në projekte të ndryshme. Ai për çdo vit ua dërgon votuesve të tij në shtëpi raportin njëvjeçar të punës së Kuvendit Komunal të Drenasit dhe aktivitetin e tij gjatë asaj periudhe kohore.
Drenori kishte fituar simpatinë e shumë qytetarëve, të cilët në fillim të këtij viti kishin nënshkruar një peticion duke e kërkuar atë për kryetar të komunës./Insajderi.com