
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamble Komunale në Ferizaj, Visa Pajaziti, është tërhequr nga gara. Kjo u bë e ditur nga vetë ai, përmes një postimi në Facebook.
Siç njoftoi ai, ky vendim vjen pas një sërë sjelljesh jo korrekte dhe veprimeve të papranueshme nga disa individë brenda LVV-së.
Tutje, Pajaziti thotë se është cenuar integriteti dhe etika e garës demokratike, duke krijuar një ambient të pafavorshëm për një proces të ndershëm e të drejtë.
“Për të mos kontribuar në një situatë jo transparente, kam vendosur të tërhiqem nga gara,” ka shkruar ai.
Megjithatë, Pajaziti ka bërë të ditur se, pavarësisht tërheqjes nga kandidimi, aktiviteti i tij në Lëvizjen Vetëvendosje do të vazhdojë, duke mbetur anëtar dhe aktivist i përkushtuar i organizatës.