Është rihapur konkursi për pozitën ‘Edukatore për parashkollor për fëmijë 3-6 vjeç në Institucionin Parashkollor “Foleja”, në Vushtrri, i cili ishte anuluar me vendimin e Gjykatës së Mitrovicës – Dega Vushtrri. Sipas gjetjeve të Auditorit ishte theksuar se në testin me shkrim përgjigjet janë kopjuar nga kandidatja. Me rihapjen e konkursit, opozita kanë ngritur dyshime se edukatoret e pranuara më parë vazhdojnë kundërligjshëm punën. Ata kanë kërkuar nga Ferit Idrizi, ta publikojë vendimin shkëputjes së secilës kontratë për 10 edukatorët e punësuara kundërligjshëm.
Gazeta Insajderi
Gazeta Insajderi në korrik kishte raportuar se sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Vushtrrisë gjatë vitit 2023, janë gjetur tri të shkelje në procedurat e rekrutimit për nëpunësit publik.
Në raport ishte theksuar se për pozitën “Edukatore për parashkollor”, përgjigjet në testin me shkrim janë kopjuar nga kandidatja.
“Për pozitën e punës “Edukatore për parashkollor” testi me shkrim nuk ishte nënshkruar nga kandidatja fituese. Gjithashtu, përgjigjet e pyetjeve teorike në testin me shkrim të kandidates, ishin identike me përgjigjet në shabllonin e testit me shkrim që kishte përgatitur komisioni për pranim, dhe kjo le të kuptojë që përgjigjet e testit me shkrim të jenë kopjuar”, thuhej në raport.
Pas këtyre gjetjeve, ky konkurs ishte anuluar nga Gjykata e Mitrovicës, dega në Vushtrri.
Sipas arsyetimit të kësaj gjykate, paditësja A. K. më 18.05.2023 kishte ushtruar padi në këtë gjykatë duke kërkuar që ky konkurs të anulohej.
“Gjykata ka vendosur si në dispozitivin I, të këtij aktgjykimi ashtu që ka anuluar konkursin 58/23, të datës 20.01.2023, për arsye se gjatë shqyrtimit kryesor është provuar se procedura rekrutuese për përzgjedhjen e kandidatëve fitues të këtij konkursi nuk është zhvilluar sipas kritereve ligjore që kanë qenë në fuqi në kohën këtij procesi rekrutues për arsyet si më poshtë”– thuhej në vendimi.
Ndërkohë me 5 nëntor, është hapur sërish konkurs për Edukatore në Institucionin Parashkollor “Foleja 2” në Vushtrri.
Me rihapjen e konkursit, opozita në Vushtrri kanë dalë me një reagim. Bazuar reagimit të tyre, ngriten dyshime se 10 edukatoret e pranuara, vazhdojnë punën kundërligjshëm.
Nga Lëvizja Vetëvendosje dega Vushtrri, po kërkojnë që kryetari Ferit Idrizi ta publikojë vendimin shkëputjes së secilës kontratë për 10 edukatorët e punësuara kundërligjshëm.
Tutje, thuhet se kërkohet edhe deklarimi publik i kryetarit dhe drejtorit të DKA’së, nëse janë duke vazhduar punën në “IP Foleja” 10 edukatoret e punësuara kundërligjshëm.
“Lëvizja Vetëvendosje – Qendra Vushtrri ashtu siç për dy herat e kaluara kur ishte shpallur ky konkurs as tani që është rishpallur për herë të tretë, nuk do të heshtë!
Kështu sot sa për fillim kërkojmë publikisht (që të mos detyrohemi të kërkojmë çasje në dokumente zyrtare) nga kryetari i komunës Ferit Idrizi:
1. Publikimi i secilit Vendim për shkëputjet e kontratave, nese ka ndodhë për 10 edukatorët e punësuara kundërligjshëm.
2. Deklarimi publik i kryetarit dhe drejtorit të DKA-së nëse janë duke vazhduar punën në “IP Foleja” 10 edukatoret e punësuara kundërligjshëm”.