×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    “Kandidatja ka kopjuar përgjigjet e testit me shkrim”, shkelje në punësimet në arsim nga Komuna e Vushtrrisë

    Insajderi
    09 July 2024 - 13:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Kopjim i përgjigjeve të testit, kualifikim jo i duhur, mospërcaktimi i kohëzgjatjes së kontratës”, janë tri shkeljet që janë evidentuar në komunën e Vushtrrisë, gjatë punësimit të kandidatëve në arsim.

    Gazeta Insajderi

    Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Vushtrrisë gjatë vitit 2023, janë gjetur tri të shkelje në procedurat e rekrutimit për nëpunësit publik.

    Në raport theksohet se për pozitën “Edukatore për parashkollor”, përgjigjet në testin me shkrim është kopjuar nga kandidatja.

    “Për pozitën e punës “Edukatore për parashkollor” testi me shkrim nuk ishte nënshkruar nga kandidatja fituese. Gjithashtu, përgjigjet e pyetjeve teorike në testin me shkrim të kandidates, ishin identike me përgjigjet në shabllonin e testit me shkrim që kishte përgatitur komisioni për pranim, dhe kjo le të kuptojë që përgjigjet e testit me shkrim të jenë kopjuar”.

    Rasti i dytë i gjetjes së ZKA’së është për pozitën e punës “Mësimdhënës për lëndën e tekstilit”. Kriter për kualifikim ishte Masteri, ndërsa kandidatja e punësuar e kishte vetëm kualifikimin bachelor.

    “Rasti tjetër i evidentuar për shkelje është për pozitën e punës “Mësimdhënës për lëndën e tekstilit”. Në këtë konkurs, ZKA thotë se është kërkuar që kandidati/ja të ketë kualifikimin Master i tekstilit, Inxhinier i diplomuar i tekstilit- drejtimi i konfeksionit, përderisa kandidatja e punësuar kishte kualifikimin bachelor i arteve në dizajn të modës”.

    Si dhe rasti tretë i evidentuar nga ZKA’ja është për pozitën e punës për “Mësuese klase”, ku siç shpjegon ZKA, me konkurs ishte përcaktuar që kohëzgjatja e kontratës të jetë me kohë të caktuar, derisa në kontratën e punës nuk është përcaktuar kohëzgjatja apo data se kur do të përfundojë afati i kontratës.

    Raporti i Auditorit thotë se “kjo ka ndodhur për shkak të kontrolleve të dobëta dhe mosrespektimit të procedurave dhe kritereve të konkursit nga anëtarët e komisonit dhe zyrtarëve përgjegjës gjatë zhvillimit të procedurave të rekrutimit dhe nënshkrimit të kontratës së punës”.

    Mospërcaktimi i saktë i kohëzgjatjes së kontratës së punës, përveç që është në kudërshtim me kërkesat ligjore, gjithashtu shkakton paqartësi si te e punësuara, e poashtu edhe në aspektin e planifikimit organizativ dhe buxhetor”- thuhet në raport. 

    Për këtë Zyra Kombëtare e Auditimit, i ka bërë thirrje kryetarit të kësaj komune që të përmirësojë kontrollet e brendshme në organizimin e testit me shkrim dhe se në kontratat me afat të caktuar, të përcaktohet sakt afati kohor i angazhimit.

    Nga komuna e Vushtrrisë janë pajtuar me këtë gjetje të ZKA.

    Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark