Bahrije Hyseni, kandidate për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se është e domosdoshme që të votohet për LDK’në si kurrë më parë.
Hyseni, me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se si kryetare e Forumit të Gruas në Ferizaj, zotohet se do të jetë zë I fuqishëm për çështjet sociale, ekonomike, kulturore dhe barazinë gjinore.
“Me frymën rugoviane dhe energjinë vizionare të Kryetarit Lumir Abdixhiku, është e domosdoshme që në këto zgjedhje, si kurrë më parë, të votohet për LDK-në përtej kufijve të politikës së zakonshme. LDK-ja është shembulli më i mirë i mundësive, ku çdo grua ndjehet vetvetja në këtë familje të madhe politike”, ka shkruar Hyseni.
“Si Kryetare e Forumit të Gruas, dega Ferizaj, zotohem të jem një zë i fuqishëm për çështjet sociale, ekonomike, kulturore dhe për barazinë gjinore. Me kuptimin e plotë të përgjegjësisë, besimi juaj ndaj meje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës mbetet misioni dhe zotimi ynë për të shtruar “Rrugën e Re” të Kosovës në katër vitet e ardhshme”, vijon postimi i saj.
“Ky besim dhe bindje u dëshmuan fuqishëm edhe në tubimin e sotëm, organizuar nga tri degët e LDK-së në Zvicër, ku mori pjesë edhe Kryetari Lumir Abdixhiku. Të lodhur nga rrugët e vjetra politike, së bashku dhe më të gatshëm se kurrë, do të ecim drejt “Rrugës së Re të Kosovës“, ashtu siç e duam dhe e meritojmë”.