Policia e Kosovës ka arrestuar një person, i cili dyshohet se mbrëmë i goditi me veturë dy vajza në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:10 në rrugën, ku një veturë ka goditur dy vajza të reja të cilat po kalonin rrugën në vendkalimin për këmbësorë.
Shoferi që po drejtonte veturën që shkaktoi aksidentin kishte ikur nga vendi i ngjarjes.
Por, ai është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, e cila tha se ai dyshohet për kryerjen e dy veprave penale.
“Sot, me urdhër të prokurorit është ndaluar një person i dyshuar, për shkak të veprave penale “Rrezikimi i trafikut publik” dhe “Mosdhënia e ndihmës ndaj personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”. Personi i dyshuar ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh”, tha Ulaj për Demokracia.com.
Po ashtu ajo njoftoi se të lënduarat në këtë rast janë dërguar për tretman mjekësor dhe se lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.