Lorik Cana u kthye në figurën tragjike të ndeshjes së Shqipërisë ndaj Zvicrës, megjithatë ai thotë se vendimin për ta prekur topin me dorë e mori në gjysmë sekondi, dhe këtë e bëri për të mirën e kombëtares.
Ikona e kuqezinjve, që ka 12 vjet që luan me kombëtaren tregon momentet e ndëshkimit me kartonin e dytë të verdhë në ndeshjen hapëse të Kampionatit Evropian për Shqipërinë.
“M’u desh të bëja një zgjedhje shumë të vështirë në një hark kohor gjysmë sekonde. Mendova ta lija fillimisht kundërshtarin dhe shpresova që mund të merrja një faull sepse ai më shtyu gjatë dyluftimit dhe unë rrëshqita. Pashë që ndodhesha jashtë zonës dhe vendosa të tentoj ta bllokoja topin. “
“Në rast se ishte në zonë, nuk do të kisha bërë asnjë tentativë sepse do të akordohej penallti për Zvicrën. Provova ta ndalja topin me shpresën që do të jepte faull për ne, por në momentin që arbitri u afrua dhe akordoi faull për ata e kuptova që do të merrja karton të kuq”, tha ai në një intervistë me Panorama-Sport një ditë pas ndeshjes.
Cana paralajmëroi skuadrën që të përgatitet për ndeshjen e radhës ndaj Francës, pasi sipas tij, nuk ka kohë për t’u mërzitur. /Insajderi.com