Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti i ka reaguar Lëvizjes Vetëvendosje, për ‘kapjen’ e Radio Televizionit të Kosovës, shkruan Insajderi.
Hamiti thotë se degradimi i transmetuesit publik ndodhi në kohën kur me vota të LVV u shkarkuan anëtarët e bordit të RTK-së.
Ai ka komentuar edhe heshtjen e presidentes Osmani, tha se nuk e habite aspak sepse ajo kishte heshtur edhe në raste të tjera.
Reagimi i plotë:
Degradimi i RTK-së, kapja e transmetuesit publik të Kosovës, ka nisur kur Kuvendi i Kosovës, natyrisht me iniciativë të Qeverisë së VV-së, i shkarkoi paligjshëm 8 anëtarë të Bordit të RTK-së. U zgjodh pastaj bordi tjetër që i emëroi përgjegjësit e rinj të RTK-së, të cilët e kanë kthyer transmetuesin publik në vegël propagandistike të VV-së.
Mediat tona po habiten pse Presidentja e vendit po hesht. Unë jo.
Presidentja Osmani nuk ka kërkuar rishqyrtim në Kuvend të Kosovës – kompetencë kushtetuese e saj – të asnjë prej ligjeve që u shpallën antikushtetuese kur u dërguan nga partitë opozitare në Gjykatën Kushtetuese.