Leja e sigurisë me të cilën individëve u jepet qasje në informacion të klasifikuar deri tash ishte punë e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, një institucion i pavarur i krijuar pas pavarësisë së vendit. Por, Qeveria e Kryeministrit Kurti tash është rrugës për ta përvetësuar këtë gjë, shkruan Insajderi.
Ne një projektligj të ri që e ka vënë në diskutim publik, Qeveria po krijon një agjenci të re nën Zyrën e Kryeministrit. Edhe drejtori i saj do të zgjedhet direkt nga Kryeministri. Edhe punëtoret e Departamentit të verifikimit të sigurisë në kuadër të AKI mund të zgjedhin që të punojnë aty apo të kalojnë direkt si punonjës në Agjencinë e re.
Për këtë agjenci të re – “Agjencioni për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar (AMIK)” – në nenin 73 ku bëhet e ditur rregullimi dhe organizimi i brendshëm i tij, ajo bie nën miratimin e Kryeministrit, drejtorin e së cilës po ashtu e emëron Kryeministri.
“Pas emërimit, Drejtori i AMIK në bashkëpunim me Drejtorin e AKI-së fillon procedurat e bartjes së departamentit të verifikimit me dosjet përkatëse në AMIK. Punonjësit aktual të Departamentit të verifikimit të sigurisë në kuadër të AKI, kanë të drejtë që përmes një deklarimi vullnetar të zgjedhin vazhdimin e punës në AMIK apo të mbesin në kuadër të strukturave të AKI”, thuhet në projektligjin e ri.
Të gjitha lejet e sigurisë së lëshuara më herët nga AKI, sipas projektligjit të ri, thuhet të mbesin valide deri në skadimin e tyre, ndërkaq Procedurat për verifikimin e sigurisë të filluara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të përfundohen në afat kohor prej tre (3) muaj.
Qeveria do t’i ofrojë “objekt të përshtatshëm” AMIK-ut, specifikohet në këtë projektligj.
Për këtë projektligj ka reaguar edhe Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se kjo kompetencë që deri më sot i takon Agjencionit Kosovar për Inteligjencë “po grabitet” nga pushteti i Albin Kurtit, për të cilën tha se përbën “përpjekjen më flagrante për të shembur traditën institucionale në kurriz të sigurisë sonë kombëtare e shtetërore”.
“Me projektligjin e ri për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, lëshimin e lejes së sigurisë nuk do ta bëjë AKI-ja, por një zyre që po e themelon Albin Kurti”, shkroi Abelard Tahiri.
“Kjo përgjegjësi dhe kompetencë që i takon AKI-së si Autoritet Verifikues, sot po përpiqet të grabitet nga pushteti i Albin Kurtit, i cili me projektligjin e ri për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, dëshiron ta themelojë një institucion brenda Zyrës së Kryeministrit që do të jetë përgjegjës për vlerësimin dhe pajisjen me leje të sigurisë”.
Një gjë të tillë Tahiri e cilësoi si të shteteve autoritare për të shtënë në dorë mekanizma të rëndësishëm të sigurisë.
“[Të] ngjason me pushtetet autoritare ku pushtetarët e jo ligji, vendosin se kush është i denjë për të pasur qasje në informacione të klasifikuara, duke shënuar kështu preludin e një mentaliteti frikësues e shantazhues që Albin Kurti po përpiqet ta instalojë në Kosovë”, shkroi Tahiri.
Çka thuhet në Ligjin aktual të klasifikimit të informacioneve dhe verifikimit të sigurisë?
1. Autoriteti Verifikues ia lëshon lejen mbi sigurinë vetëm atij personi, i cili pas kryerjes të një procedure të verifikimit të sigurisë në pajtim me këtë ligj është përcaktuar si rrezik i pranueshëm për sigurinë.
2. Leja e sigurisë tregon qartë nivelin e informacionit të klasifikuar, në të cilën personi që e ka kaluar procedurën e verifikimit të sigurisë mund të ketë qasje. Leje e sigurisë për një nivel të caktuar të klasifikimit i jep bartësit qasje edhe në informacionet me nivel më të ulët të klasifikimit.
3. Çdo institucion publik i bindet vendimit të Autoritetit Verifikues dhe nuk i jep qasje në informacione të klasifikuara një personi të cilit i është refuzuar leja e sigurisë./Insjaderi/