Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e prezantoi si sukses të madh organizimin e Lojërave Mesdhetare për vitin 2030 në vend. Kurti tha në mbledhjen e fundit të Qeverisë se për herë të parë ky event po organizohet në një shtet pa dalje në det. Shefi i qeverisë e pa këtë edhe si mundësi për ta përmirësuar infrastrukturën sportive. Megjithatë, njohës të çështjeve ekonomike po e shohin luks çështjen e organizimit të këtij eventi sportiv. Në anën tjetër, Përparim Rama po e bën luftën për merita me pushtetin, përkundër që ka dhënë shenja se nuk ia ka fort idenë lidhur me shpenzimet e Lojërave Mesdhetare.
Kryeministri Kurti gjatë ditës bëri të ditur se garat në 23 sporte do të zhvillohen në komunat e Prishtinës, Gjilanit, Mitrovicës, Gjakovës, Prizrenit, Ferizajit, Pejës, Drenasit, Skenderajt, Podujevës dhe Durrësit, shkruan Gazeta Insajderi.
Ai e pa këtë si mundësi të përmirësimit të infrastrukturës sportive, si dhe premtoi edhe një stadium nacional.
Në konceptin fillestar të këtij projekti, parashihet përfshirja e 24 objekteve sportive.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se i ka ndarë 250 milionë euro për organizimin e këtyre lojërave.
Megjithatë, njohësi i çështjeve të ekonomisë, Shenoll Muharremi, ka thënë se qeveria nuk po i përmend edhe gjashtë milionë euro të tjera. Ai ka publikuar një grafikon të përmbledhjes së shpenzimeve, sipas të cilit 204,337,500 euro do të shkojnë për investimet sportive, 49,108,000 euro për programe dhe shpenzimeve operacionale dhe 2,5 milionë euro për dhënien e të drejtave për organizim.
“Numëroni ju lutem mirë paranë publike e keni konsideratë se 6,000,000 janë shumë për biznese e qytetarë që paguajnë taksa e ju vetëm i mbledhni pa bërë asgjë e pa japur vlerë të shtuar ekonomike e biznesore për ta. Gjithashtu, si more është e mundur 50 milion për shpenzime operative? wow .. tepër shumë janë”, ka shkruar Muharremi.
I njëjti ka përmendur edhe se Kosova është i vetmi vend që ka aplikuar për mbajtjen e Lojërave Mesdhetare 2030, meqë sipas tij, askush nuk deshi t’i organizojë këto gara në kohë të krizës financiare.
Për verifikimin e kësaj, Gazeta Insajderi ka kontaktuar Komitetin Ndërkombëtar për Lojërat Mesdhetare por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Për çështjen e Lojërave Mesdhetare ka mbajtur një konferencë për media kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Megjithatë, kur ky i fundit është pyetur për shumën që Komuna e Prishtinës do t’i ndajë për eventin sportiv, i pari i kryeqytetit ka dhënë një përgjigje të çuditshme.
“Çkado që t’ka nevojë. Po them jemi të fokusuar që këto lojëra të jenë lojëra fantastike, lojëra ashtu me pozitivitet…”, ka deklaruar ndër të tjera ai.
Për këtë, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, i cili ka thënë se Rama s’ia ka as idenë më të vogël për Lojërat Mesdhetare.
“Në vend se Përparim Rama të mbante konferencë për media mbi arrestimet e dy njerëzve më të afërm të tij, ai u përpoq të sjell ekskluzivitetin e Lojërave Mesdhetare 2030, punë për të cilën nuk e ka asnjë kontribut të vetëm. Më poshtë shihni bllokimet e tij në pyetjet konkrete dhe specifike për të cilat nuk e ka as idenë më të vogël”, u hta në reagimin e VV-së.
Përparim Rama po e bën luftën për merita me pushtetin për çështjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030. Rama dje tha se ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka kontribut vetëm në dhënien e firmës, ndërkaq kryeasamblisti i VV-së në Prishtinë “aq di aq flet”.
“Veç një nënshkrim e ka dhënë edhe ministri i Kulturës dhe ministri i Financave. Kështu që, aq di, aq flet. Kështu që, nuk ia shoh për të madhe”, tha Rama në deklarimin e tij.
Ministri Çeku mbrëmë iu është kundërpërgjigjur Ramës, i cili ka thënë se s’ka ndonjë kontribut të madh në çështjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare.
“Nëse dikush del dhe thotë këtu kom me ndërtu, unë kom me ndërtu, është tu e shkelë kontratën, është tu e rreziku procesin dhe detyrimet që kemi. Kryetari i Komunës së Prishtinës, është vetëm njëri që ka dhënë zotime ndaj këtij procesi. Ekziston një dokument i cili e dëshmon që përgjatë gjithë kësaj periudhe, që ka fillu në dhjetor të vitit të kaluar, i vetmi kontribut i kryetarit të Prishtinës është aq sa i kryetarit të Ferizajit, Prizrenit, Gjakovës, Mitrovicës, Pejës dhe Durrës. Kaq, asgjë më shumë”, deklaroi ai mbrëmë në ATV.
Kosova do të jetë organizatorja e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).
Në Lojërat Mesdhetare marrin pjesë sportistë nga 26 shtete. /Insajderi.org/