Sulmuesi argjentias, Lionel Messi, duket se është pranë përfundimit të karrierës së tij legjendare, pasi që mediat spanjolle kanë raportuar se argjentinasi nuk do ta vazhdojë kontratën me skuadrën amerikane, Inter Miami.
Messi thuhet se do të vazhdojë të luaj futboll për klubin e tij të fëmijërisë, Newell’s Old Boys, ku edhe do të pensionohet.
Gazeta katalanase ‘El Nacional’ bëri të ditur ekskluzivisht se 37-vjeçari argjentinas do të largohet nga klubi amerikan në fund të sezonit.
Siç pretendon El Nacional, Messi nuk ka ndërmend të zgjasë kontratën me Inter Miami, e cila skadon në fund të vitit 2025, dhe plani është që të kthehet në klubin e tij të fëmijërisë.
Natyrisht, bëhet fjalë për Newell’s Old Boys, klubi nga shkolla rinore e të cilit Messi mbërriti në Barcelonë si 13-vjeçar, ku u bë futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave.
Messi nuk harroi kurrë se ku i hodhi hapat e tij të parë futbollistik dhe El Nacional kujtoi edhe deklaratën e argjentinasit të vitit 2016.
“Nëse do të kthehesha nesër në Argjentinë, gjë që do të doja ta bëja, do të luaja vetëm për Newell’s”, citohet të ketë thënë Messi nga gazeta katalanase El Nacional.
Në gazetën e lartpërmendur thuhet gjithashtu se ky do të ishte një vendim logjik për Messin, i cili do të kthehet në atdheun e tij para Kupës së Botës 2026 në Amerikë, Kanada dhe Meksikë. Ai Botëror sigurisht që do të jetë i fundit në karrierën e tij.
Në sezonin aktual të MLS-së amerikane, Messi ka 14 gola dhe 10 asistime në 15 ndeshje të luajtura.