×
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    Kartëmonedha më e falsifikuar në treg

    Insajderi
    02 April 2017 - 09:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kartëmonedha më e falsifikuar në tregun shqiptar është prerja 1 mijë lekëshe. Në raportin vjetor të 2016-ës, që ka dorëzuar në Kuvend, Banka e Shqipërisë raporton se gati gjysma e parave të falsifikuara në Shqipëri i përkasin prerjes 1 mijë lekëshe, çka e bën atë një kartëmonedhë me rrezik më të lartë sesa prerjet e tjera për mashtrim.

    “Konstatohet se kartëmonedhat e falsifikuara të prerjes 1000 lekë përbëjnë rreth 47% të totalit të kartëmonedhave dhe monedhave të falsifikuara. Më pas renditen monedha metalike 50 lekë me 19% të totalit, si dhe prerjet 500 lekë dhe 2000 lekë me respektivisht 15% dhe 14 % të totalit,” thuhet në raport, raporton “Syri”.

    Banka nuk e zbulon se sa është vlera totale e parave të falsifikuara që u konstatuan në treg gjatë vitit të kaluar. Por sipas saj, krahasuar me vitin 2015, vlera kartëmonedhave të falsifikuara është ulur me 13 për qind.

    “Në përgjithësi, krahasuar me sasinë e kartëmonedhave dhe monedhave metalike në qarkullim, kartëmonedha e falsifikuara mbeten në sasi të papërfillshme”, deklaron Banka e Shqipërisë.

    Sipas kësaj banke, në fund të vitit 2016, në Shqipëri ishin në qarkullim 131,2 milionë copë kartëmonedha leku. Sipas Bankës, vlera totale e parave që qarkullojnë është 254.7 miliardë lekë.

    “Në krahasim me vitin 2015, numri i kartëmonedhave në qarkullim është rritur me rreth 5,9 milionë copë, ndërsa vlera e tyre është rritur me 8.2%”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

    Sipas raportit, ndryshimi i këtyre treguesve vjen si pasojë e trendit që vazhdon të ndjekë struktura e parasë në qarkullim, në favor të kartëmonedhave me vlerë nominale 5000 lekë dhe 2000 lekë.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Biznes
    21 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark