Katër eurodeputetë, letër Serbisë: Thellësisht të shqetësuar me situatën e shqiptarëve në Serbi – Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Katër eurodeputetë, letër Serbisë: Thellësisht të shqetësuar me situatën e shqiptarëve në Serbi

    Insajderi
    01 June 2024 - 13:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Katër eurodeputetët, Vioa von Cramon, Rainer Wieland, Michael Gahler dhe Thijs Reuten, i kanë shkruar një letër kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq dhe tre ministrave të kabinetit të tij.

    Në këtë letër, katërshja evropiane janë shprehur shumë të shqetësuar me situatën e shqiptarëve në Serbi, gjegjësisht në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

    “Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Konçulit më 2001, ka pasur përkushtime për të adresuar ankesat dhe për të përmirësuar kushtet e pakicës shqiptare në këtë rajon. Është qenësore që këto marrëveshje jo vetëm të pranohen, por edhe të zbatohen në tërësi për të garantuar të drejtat dhe mbrojtjen e pakicës shqiptare”, thonë katër eurodeputetët në këtë letër të publikuar nga deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

    Ai këtë letër e quajti “ditë të rëndësishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës”.

    Kamberi pati një falënderim të madh për Qeverinë e Kosovës, “në veçanti Kryeministrin Albin Kurti dhe Zv. Kryeministrin Besnik Bislimin, për mbështetjen e tyre të çmuar dhe vizionin e tyre në proceset lobuese për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

    “Sot, më shumë se kurrë, duhet të jemi të bashkuar për të siguruar një të ardhme më të mirë për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, tha Kamberi.

    Në letër shtohet se “është e mirë-dokumentuar, veçanërisht në dekadën e fundit, që pakica shqiptare vazhdon të përballet me forma të ndryshme të diskriminimit, përfshirë procesin e ashtuquajtur të ‘pasivizimit’, qasjen e kufizuar në edukim, mundësitë për punësim dhe kujdesin adekuat shëndetësor”.

    “Një mekanizëm kyç i ngritur për të lehtësuar dialogun dhe për të adresuar brengat e shqiptarëve është Organi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Megjithatë, është qenësore që ky organ të funksionojë në mënyrë të efektshme dhe efiçiente për t’i shërbyer qëllimit në përfaqësimin e interesave të komuniteteve pakicë”, thotë më tej letra e hartuar nga katërshja Vioa von Cramon, Rainer Ëieland, Michael Gahler dhe Thijs Reuten.

    Eurodeputetët kërkojnë nga qeveria e Serbisë dhe autoritetet tjera relevante t’i japin prioritet të drejtave të pakicave dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të adresuar këto çështje.

    Ndër kërkesat e tyre janë zbatimi i të gjitha marrëveshjeve për adresimin e brengave të ngritura nga pakica shqiptare, funksionalizimi i Organit Koordinues, mundësitë e barabarta dhe qasja në shërbime esenciale, dhe riparimin e procesit të “pasivisimit” i cili thonë se çoi në uljen e konsiderueshme të popullsisë shqiptare në listat zgjedhore.

    “Kërkojmë me ngulm që t’i jepni prioritet kësaj çështje dhe të ndërmerrni hapa të menjëhershëm për të adresuar brengat e ngritura nga pakica shqiptare. Mbrojtja e të drejtave të pakicave është esenciale për përparimin afatgjatë të shoqërisë serbe dhe arritjen e paqes së shëndetshme në Ballkanin Perëndimor”, përfunduan letrën katër deputetët evropianë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark