Takimi në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së New York ka nisur me vonesë, pasi duhej të prisnin delegacionin e Kosovës.
Kryesuesja e takimit, e cila vjen nga Malta, tha se “E di se po më shihni çuditshëm, por është çështje protokolli i Kombeve të Bashkuara të presim derisa të vijë edhe delegacioni i Kosovës.
“ Pra, duhet të presim, sipas protokollit. Duket se erdhën. Mund të vazhdojmë me takimin”, tha ajo, ndërkohë që Osmani me delegacionin e saj hynë në sallë.
Siç ka mësuar Telegrafi, vonesa kishte ndodhur pasi Osmani kishte marrë me vete edhe Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi, Elhame Muçollin dhe Shyrete Tairin – një e mbijetuar e masakrave të kryera nga forcat jugosllave në Kosovë, një grua që ka familjarë të zhdukur në luftë, si dhe dy gra të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Edhe pse të katërtat kishin qenë në listë të regjistruar për pjesëmarrje si pjesë e delegacionit të Kosovës, zyrtarë të KS të OKB-së nuk i kishin lejuar të hynin në sallë.
Ndërsa, presidentja Osmani, ka refuzuar të futet pa to në sallën e takimit.
Gjatë senacës, Vuçiq është ankuar pse ato gra kanë marrë pjesë në takim.
Ai tha se ato nuk janë pjesë e stafit diplomatik, dhe pse është diskutuar për të kaluarën, sidomos për kohën e luftës, duke pretenduar se në kohën e luftës ka pasur edhe gra serbe të dhunuara seksualisht në Kosovë.
Edhe përfaqesuesi rus, kishte kundërshtuar pjesëmarrjen e tyre brenda sallës.
Osmani, në anën tjetër, ka thënë se gratë pjesëmarrëse janë edhe pjesë e kabinetit të saj.