Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Odën Austriake Federale në Vjenë si dhe me mbështetjen e Ambasadës së Kosovës në kryeqytetin austriak do të organizojnë sot në Vjenë, Forumin për Investime dhe Tregti.
Forumi do të mbahet në ambientet e Odës Austriake në Vjenë, ndërsa pjesëmarrës nga Kosova pritet të jenë përfaqësues të lartë të ministrive dhe të resorëve të ndryshëm.
Parashihet që forumi të jetë i ndarë në dy sesione: atë të fjalimeve dhe sesionin e takimeve.
Në konferencë do të jenë të pranishëm edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci dhe ai i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural , Memli Krasniqi, njofton televizioni publik
Ndërsa në sesionin e dytë të forumit është paraparë që të zhvillohen takime direkte ndërmjet KIESA-s dhe bizneseve nga Austria, me ç’rast bizneset nga shteti nikoqir do të kenë rastin të njoftohen në lidhje me mundësitë që i ofron Kosova për investitorët e huaj.