Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar raportin e monitorimi të punës së Kuvendit për sesionin pranveror 2016, nga i cili del se gjatë këtij sesioni Parlamenti ka pasur problem të shumta kryesisht të natyrës politike.
Në raport thuhet se inatet e akumuluara gjatë konstituimit të Kuvendit dhe krizës politike të atëhershme, kanë reflektuar edhe përgjatë vazhdimit të mandatit.
Përmenden diskutimet e deputetëve për marrëveshjen për Demarkacionin dhe Asociacionin ndonëse asnjëra prej tyre nuk ka qenë zyrtarisht për shqyrtim në seanca plenare, pastaj zgjedhja e presidentit me gaz lotsjellës dhe bojkotet e partive opozitare.
Sipas KDI-së komisionet parlamentare kanë mbajtur 223 mbledhje të rregullta dhe 13 dëgjime publike, ndërkaq janë mbajtur 14 seanca plenare përdallim nga viti 2015 që në sesionin pranveror ishin mbajtur 23 seanca plenare apo 9 më shumë.
Në këtë raport thuhet se nga 87 projekt-ligje të premtuara në Kuvend kishin shkuar vetëm 23 ndonëse në programi legjislativ të Kuvendit kanë qenë gjithsejt 135 projektligje.
Pavarësisht bojkotit të seancave deputetët e Kuvendit kanë qenë mjaft aktiv sa i përket udhëtimeve jashtë vendit, duke realizuar 128 udhëtime.
“Këto udhëtime i kanë kushtuar buxhetit të Kuvendit rreth 110 mijë euro”, njofton KDI. /Insajderi.com