Çështja e demarkacionit është një çështje e cila duhet të diskutohet dhe të inkurajojë debat parlamentar nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës para se të ratifikohet, vlerëson KDI.
“Tashmë kur po bëhet gati një vit që nga koha e nënshkrimit të marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, nevoja për një debat të hapur parlamentar lidhur me këtë çështje të hapur është e domosdoshme”, thuhet në komunikatën e KDI-së.
Shënjimi i kufijve në mes Malit të Zi dhe Kosovës, sipas KDI-së, është shumë e rëndësishme për të ardhmen politike si dhe për rritjen e nivelit të sigurisë në tërësi. KDI vlerëson se është e rëndësishme që sa më të shpejtë të mbyllet kjo marrëveshje ngase po rritet mendimi se ajo është vendosur si kriter nga Komisioni Evropian.
KDI e përkrah iniciativën e Shpejtim Bulliqit që të angazhohen ekspert në lidhje me çështjen e demarkacionit dhe se kjo nismë e tij kërkon një vëmendje të veçante dhe një debat të mirëfilltë.
“Shfaqja e gatishmërisë së subjekteve opozitare për t’u kthyer në Kuvend për të diskutuar çështjen e demarkacionit dhe për të hequr dorë nga veprimet me mjete jo parlamentare, është situatë e re politike e cila duhet të merret seriozisht nga qeveria edhe koalicioni qeveritar”, thuhet në mes tjerash në komunikatë.
Ajo pret nga deputetët, subjektet politike që të marrin përgjegjësinë dhe gatishmërinë që t’i respektojnë obligimet kushtetuese dhe shtetërore./Insajderi.com