DnV: Shtohen parregullsitë në Drenas, këto janë rastet e identifikuara – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    DnV: Shtohen parregullsitë në Drenas, këto janë rastet e identifikuara

    Insajderi
    04 December 2016 - 17:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Koalicioni i OJQ-ve, “Demokracia në Veprim” po vazhdon ta vëzhgojë procesin zgjedhor në territorin e Komunës së Drenasit.

    Sipas informatave që kanë treguar DnV, përcjellë përmes një komunikate për medie, trendi i votimit familjar ka shënuar rënie, ndërsa problemet me listën e votuesve kanë shënuar ngritje.

    Sipas Demokracisë në Veprim, deri më tani janë evidentuar 156 ankesa në këtë drejtim, raporton Insajderi.

    “Është evidentuar rritje e numrit të personave që asistojnë më shumë se një herë votuesit. Po ashtu është vërejtur rritje e numrit të personave të paautorizuar në vendvotime, ku janë evidentuar të paktën 6 raste deri më tani”, thuhet në komunikatën e DnV-së.

    Disa parregullsi tjera të evidentuara prej orës 12:00-17:00:

    Në vendvotimin 0314E/01R në Negrovc, shkolla “Jusuf Gërvalla”, dy votues kanë refuzuar të votojnë në kabinë dhe kanë realizuar votim të hapur.

    Në vendvotimin 0314E/02D në Negrovc, shkolla “Jusuf Gërvalla”, në ora 15:10 është evidentuar një konflikt verbal mes një votuesi dhe një vëzhguesi të Nisma për Kosovën. Si rezultat policia i ka larguar nga vendvotimi të dy palët.

    Në qendrën e votimit 0322E, në Qikatovë të Vjetër, shkolla “Dëshmorët e Drenicës”, është raportuar se grupe të organizuara të vëzhguesve të PDK-së janë duke ushtruar presion ndaj votuesve që po presin në radhë për të votuar.

    Në vendvotimin 0327E/02D, në Gllobar, shkolla “Naim Frashëri”, janë evidentuar 14 raste të asistimit për të votuar.

    Në vendvotimin 0312E/01D në Likoshan, shkolla “Rexhep Gjeli”, disa votues pas votimit kanë vazhduar të qëndrojnë në oborrin e shkollës. Vëzhguesit e DnV-së e kanë raportuar rastin dhe policia më pas ka intervenuar duke i shpërndarë.

    DnV u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Drenasit, me të drejtë vote që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Njëkohësisht DnV, kërkon që organet përgjegjëse për sigurimin dhe administrimin e zgjedhjeve të garantojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në këto orë të fundit të procesit zgjedhor.

    Po ashtu, DnV kërkon nga subjektet politike që të tregohen të përmbajtura dhe të mos pengojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark