Pronari i një pompe benzine në një fshat të Skenderajt ka probleme të mëdha. Por problemi i tij ka impakt edhe tek banorët. Madje paraqet rrezik.
Një trafo elektrike e vendosur tek pika e shitjes së karburanteve “Rez-Imex” në në fshatin Rezallë, më saktësisht në vendin e quajtur “Seishtë”, është vendosur nga KEDS-i.
Kjo për shkak se shumë institucione të sigurisë publike lokale dhe qeveritare kanë konkluduar se trafoja paraqet rrezik të madh për banorët, sidomos për faktin se është e vendosur në një pikë me ka par as e të ndërtohet e cila është duke paraqitur rrezik për ndërmarrjen afër saj dhe për banorët e fshatit.
Pronari i kësaj pike shitjeje të karburanteve, Sylë Hoxha, thotë se KEDS e ka vendosur aty trafon në kohën sa biznesi i tij ka qenë duke funksionuar dhe beson se është përgjegjësi e KEDS që ta zhvendosë atë, pasi autoritete të ndryshme kanë lajmëruar për rrezikun që paraqet.
Hoxha, thotë se disa herë e ka njoftuar KEDS-së për këtë shtyllë elektrike, për rrezikun që është duke shkaktuar ajo, mirëpo KEDS-së, deri më tani nuk ka marr asnjë veprim që ta largojë atë.
Mirëpo KEDS, sipas hoxhës, ka kërkuar nga pronari që të financojë heqjen e saj.
Këtë e ka konfirmuar edhe Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS.
“KEDS ka kërkuar që pjesët teknike të shtyllës elektrike ti kryej vetë pronari i kësaj kompanie”, ka thënë Buzhala për Insajderin.
Sipas tij, KEDS, ka dhënë një zgjidhje teknike për konsumatorin.
“Ai ka kërkuar edhe përkrahje nga KEDS dhe ne kemi pranuar t’i kryejmë pjesët elektromontuese kurse materialin ta blejë konsumatori, i cili ishte dakorduar por më vonë i ka rënë pishman”, ka thënë Buzhala.
Ai tregon se pronari i pikës së karburantit, ka komunikuar me zyrtarë të KEDS-it dhe është tërhequr.
“Pastaj konsumatori u ka shkruar zyrtarëve të KEDS-it përmes Viber-it dhe është tërhequr nga dislokimi pasi që sipas tij licencimi po i kushton me një kosto që ai nuk mund ta përballojë”, ka thënë Buzhala për Insajderin.
Pronari këmbëngulë që kjo është përgjegjësi e KEDS.
Ai madje ka bërë ankesë në Drejtorin për Shërbime Publike në Komunën e Skenderajt dhe në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Sipas Drejtorisë për Shërbime Publike, kjo shtyllë elektrike e vendosur në këtë pjesë, të fshatit paraqet rrezik për banorët dhe për ndërmarrjen e cila gjendet afër saj.
“Drejtoria për shërbime Publike- Sektori për Mbrojtje dhe Shpëtim i K.K. Skenderaj për mes inspektorit ka kryer inspektim të rregullt në NTTSH “REZ-IMEX”, në Rezallë me datën 27.10.2014 dhe përveç masave të propozuara ka vërejt se KEDS, distribucioni i shpërndarjes në Mitrovicë ka vendosur shtyllën elektrike me largpërçues të tensionit të lartë në zonën e I dhe II të Rrezikut, me ç’rast ka rrezikuar ndërmarrjen”, thuhet në arsyetimin e Drejtorisë për Shërbime Publike të Komunës së Skenderaj.
Përveç kësaj KEDS-së, sipas Drejtorisë për Shërbime Publike ka shkelur edhe ligjin e Mbrojtjes, duke e vendosur shtyllën elektrike në atë pjesë të fshatit.
“Ndërtimi i largpërçuesve është kryer pa marrë pëlqimin nga organi kompetent për dhënjen e lejes në kundërshtim me nenin 13 të ligjit Nr.04/1-012 për Mbrojtjen nga zjarri”, thuhet ndër tjerash në arsyetimin e DSHP-së.
Ndërsa sipas Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, lokacioni ku është e vendosur shtylla elektrike, nuk i plotëson kushtet teknike.
“Komisioni ka konstatuar se lokacioni i lartcekur nuk i plotëson kushtet teknike nga askepti i mbrojtjes nga zjarri sipas dispozitave në nenet 11, 12 dhe 13 të Ligjit nr. 04/L-012 për mbrojtje nga zjarri të Republikës së Kosovës”.
Dhe për këtë Agjencia për Menaxhimin Emergjen, ka rekomanduar që në këtë lokacion mos të lëshohet pëlqimi për ndërtimin e shtyllës elektrike në atë pjesë.
“Duke u mbështetur në këto dispozita, Komisioni ka rekomanduar që të mos lëshohet pëlqimi për lokacion gjerë në plotësimin e kushteve teknike pasi që mbi zonat e rrezikut nga zjarri dhe shpërthimi të impianteve të “D&G Petrol”, është instaluar linja ajrore e LP 10 kV./Insajderi.com