Kompania KEDS ka njoftuar se zjarri i qëllimshëm ka dëmtuar asetet elektroenergjetike të KEDS-it dhe ka lënë pa rrymë disa fshatra të Gjakovës.
Përmes një njoftimi thuhet se “persona të papërgjegjshëm i kanë vënë zjarrin qëllimshëm një fushe, me ç’rast është dëmtuar pjesërisht Largpërçuesi 10kV Dobroshi”.
“Nga ky dëm dhe zjarr, i cili vazhdon të jetë aktiv akoma, kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike rreth 700 konsumatorët e fshatrave Molliq, Batushë, Brovinë, Stubëll, Berjah”, thuhet në njoftimin e KEDS’s
“Ekipet e KEDS-it janë mobilizuar tashmë dhe ndodhen në terren, megjithatë sipas verifikimeve, gjendja është e rëndë dhe nuk dihet saktë se sa i madh është dëmi, për çka eliminimi i dëmit të shkaktuar në kabllot elektrike me gjasë do të marrë kohë. KEDS vazhdon t’u bëjë thirrje qytetarëve të kenë kujdes të shtuar e të mos shkaktojnë qëllimshëm vatra të tilla zjarresh, sepse kështu po dëmtohen asetet e kompanisë dhe konsumatorët po mbesin pa furnizim me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e kësaj kompanie.