KEK nën kontroll të Qeverise Kurti i jep tender 2.5 milionë euro kompanisë me ortak kinezë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    KEK nën kontroll të Qeverise Kurti i jep tender 2.5 milionë euro kompanisë me ortak kinezë

    Insajderi
    14 August 2025 - 13:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka shpërblyer me tender në vlerë mbi 2 milionë euro një konsorcium të përbërë nga kompania ECO CLEAN CORPORATION SH.P.K. dhe kompaninë JiangXi ARK Science Fluid Technology Co., LTD. Të dy kompanitë kanë lidhje me Kinën, shkruan Insajderi.

    Kontrata është dhënë nga KEK me datë 13.08.2025, për projektin “Rehabilitimi i kullës ftohëse në TC Kosova B”.

    ECO CLEAN CORPORATION SH.P.K, e kompania kineze JiangXi ARK Science Fluid Technology Co., LTD, fituan kontratën në vlerë prej 2,598,714.00.

    Grupi fitues është përzgjedhur ndër katër ofertuesit pjesëmarrës në këtë procedurë prokurimi.

    Në njoftimin për kontratë, KEK ka sqaruar se rehabilitimi ishte paraparë të bëhet gjatë vitit 2026.

    “Afatet kohore për fillimin dhe ose përfundimin e kontratës Prandaj Autoriteti Kontraktues (AK), në kuadrin e punëve të veta ka paraparë që gjatë vitit 2026, të bëjë rehabilitimin e kullës ftohëse. Projekti po iniciohet në këtë vit, ashtu që të ketë kohë të mjaftueshme për parapërgatitje dhe prodhimin e materialeve të nevojshme për rehabilitim. Koha eventuale ne dispozicion për kryerjen e punës ne terren Total 45 ditë kalendarike të dy njësit B1 dhe B2, do të jenë të ndalura në të njëjtën kohë. Orari i punës prej 6 30 deri me 20 30 ne dy ndërrime pa ndërprerje. Nëse OE konsideron se mund të punohet edhe më gjatë me ndihmën e reflektorëve (ndriçim artificialë) duhet të theksoj ne ofertë dhe të cek këtë orar. Nga ndalesa e tërësishme e dy blloqeve, AK i duhet të ketë ujë në kadë edhe 36 deri 48 ore (pra max 2 ditë) për procesin e ftohjes së turbines”, theksohet në dosje.

    Kush janë kompanitë fituese?

    Në këtë kompani që KEK e shpërbleu me kontratë, 20 % të aksioneve i mban shtetasja kineze, Wenyun Yang.

    Sipas të dhënave në Regjistrin e Bizneseve ajo del që kur u themelua kjo kompani, në gusht 2019, ka investuar 80 mijë euro, derisa 320 mijë euro të tjera i ka investuari shtetasi kosovar, Arbër Gashi që mban 80 % të aksioneve në këtë firmë.

    Gazeta Insajderi më parë kishte kontaktuar me kompaninë “ECO CLEAN CORPORATION” Sh.p.k. dhe ortaku i madh në firmë, Arbër Gashi i kishin thënë gazetës se Wenyun Yang është shtetase e Kinës, por me të janë takuar gjatë studimeve në Amerikë.

    Wenyun Yang është investitorë. Atë e kam takuar në Amerikë dhe kemi vendosur që të dertojmë një biznes në Kosovë. Unë nuk po shoh ndonjë problem këtu”, kishte deklaruar Gashi për Insajderin.

    Në anën tjetër edhe kompania tjetër hisedarë në këtë tender është kompani kineze.

    JiangXi ARK Science Fluid Technology Co., është një prodhues i njohur në kërkimin dhe zhvillimin dhe prodhimin e pajisjeve të ftohjes së ujit.

    Sipas të dhënave në web-faqen e tyre del se produktet e tyre eksportohen jashtë vendit: si Koreja e Jugut, Koreja e Veriut, Kazakistani, Serbia, Vietnami, Tajlanda, Indonezia, Zambia, Rusia dhe Pakistani.

    Pra nuk përmenden vendet evropiane.

    Pas kësaj ka reaguar KEK:

    Sqarim i KEK Sh.A. në lidhje me publikimin në disa media mbi tenderin për rehabilitimin e kullës ftohëse në TC Kosova B

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) njofton opinionin publik se, lidhur me raportimin e datës 14.08.2025 për tenderin e projektit “Rehabilitimi i kullës ftohëse në TC Kosova B”, dëshiron të ofrojë disa sqarime të rëndësishme:

    Kontrata ende nuk është nënshkruar. Deri në këtë fazë, është përfunduar vetëm procesi i vlerësimit të ofertave dhe është bërë njoftimi për njoftim të fituesit të tenderit, bazuar në rezultatet e punës së Komisionit profesional të vlerësimit.

    Kompania e shpallur fituese është një konzorcium, i cili ka konkurruar në procedurë të hapur të prokurimit publik, së bashku me tre ofertues të tjerë.

    Të gjitha procedurat janë zhvilluar në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurimin Publik (LPP) dhe dokumentacionin e tenderit. Procesi i vlerësimit është kryer nga një Komision i pavarur dhe profesional, i caktuar nga Autoriteti Kontraktues, duke u bazuar në kriteret e paracaktuara në dosjen e tenderit.

    KEK Sh.A. nuk ka asnjë ingerencë në përbërjen e brendshme apo marrëdhëniet pronësore të operatorëve ekonomikë, për sa kohë që ato janë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe kanë dorëzuar dokumentacion të rregullt ligjor dhe financiar gjatë procedurës së prokurimit.

    Projektet e mëdha, siç është rehabilitimi i kullës ftohëse, kërkojnë kohë për parapërgatitje teknike, ndaj procedurat janë iniciuar me kohë për të siguruar zbatim efikas dhe brenda afateve të planifikuara gjatë vitit 2026.

    KEK Sh.A. mbetet e përkushtuar në respektimin e parimeve të transparencës, konkurrencës së drejtë dhe ligjshmërisë në të gjitha proceset e saj të prokurimit dhe do të vazhdojë t’i informojë të gjitha palët e interesuara me korrektësi dhe në përputhje me obligimet ligjore.

    Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitete

    KORPORATA ENERGJETIKE E KOSOVËS (KEK Sh.A).

    Prishtinë, 14.08.2025


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark