
Mbrëmjen e së hënës është sulmuar me granatë objekti i Radio Televizionit të Kosovës, ndërkaq ende nuk ka të arrestuar.
Një sulm tjetër mbi institucionet publike ka ndodhur më 4 gusht të këtij viti, ku u sulmua me predha antitank objekti i Kuvendit të Kosovës.
Edhe për këtë rast ka zero të arrestuar, derisa për të dyja rastet policia ka thënë se është duke i zhvilluar hetimet.
Në mëngjesin e së martës, një grup i cili thotë se janë rugovas, e kanë marrë përsipër sulmin e mbrëmshëm ndaj RTK-së, i cili u sulmua me granatë dore.
Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës në një intervistë në televizionin publik, ka thënë se sulmi në objektin e Kuvendit të Kosovës, dhe ai ndaj RTK-së, mund të ketë një ndërlidhje, megjithëse thotë se nuk është i sigurt.
Kelani tha se për momentin nuk mund të thotë asgjë, pasi duhet pritur rezultatet finale të hetimeve, por se sipas një emaili mund të thuhet se ka një ndërlidhje.