
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Arbreshë Kryeziu, është kritikuar pasi e njëjta në një ballafaqim të mbrëmshëm nuk e ka ditur rolin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, shkruan Insajderi.
Kryeziu nuk ka qenë në gjendje të argumentojë për rolin që kjo Asamble ka, çka ka bërë që kandidati i PDK-së për deputet Edon Cana të reagojë.
Ai ka thënë se turpërohet që ndodhet në një studio me një deputete që nuk i di gjërat themelore.
Ndërkohë, deputetja e VV’së, Arbresha Kryeziu që nuk e di se çka është Asambleja e NATO’s, ka ofenduar Duda Baljen pasi kjo e fundit kishte deklaruar se i është ofruar një pozitë profesoreshe në Shkup në këmbim të votës së saj për Albulena Haxhiun si kryetare e Kuvendit të Kosovës.
“Jam shumë kurioze me ditë çfarë lënde kish mujt me dhënë Duda Balje, jam kurioze me ditë kënd kish mujt me mësu Duda?”, ka deklaruar Kryeziu-Hyseni në një intervistë për Kanal10.
Përgjigjja nga Balje nuk ka munguar. Përmes një postimi në Facebook, ajo ka reaguar ndaj komenteve ironike.
“Dhe tani si, me të gjithë ata kolegë që nuk dinë (pothuajse asgjë) por që do të donin shumë ta dinin a duhet t’i shpjegoj një nga një apo duhet të kërkoj një takim të përbashkët me të gjithë? […] Komplekset e tua të vlerës më të lartë do të të shkatërrojnë.”, ka shkruar ajo në Facebook./Insajderi