Agim Dobruna
Kohë më parë dështoi një seancë në një gjykatë të Prishtinës në lidhje me fatin e kishës ortodokse në hapësirën universitare të Universitetit të Prishtinës. Pa dashur të bëjë juristin, mendoj se ekziston tani një mundësi e mirë që kjo kishë të shpallet ndërtim i jashtëligjshëm e të shndërrohet në “Muze Holokausti”, i cili do të ekspozonte dëshmi të gjenocidit serb kundër popullit shqiptar, të mbështetur dhe inspiruar edhe nga vet Kisha Ortodokse Serbe, me argumentin material se vendimi për ndërtim u nxor në kohën e suspendimit të jashtëligjshëm të autonomisë së Kosovës.
Cili ishte synimi serb për ndërtimin e këtij objekti fetar në oborrin e Universitetit të Prishtinës?
Të shkojmë me radhë.
Secila kulturë ndërtimore përfaqësohet nga stile të ndryshme arkitektonike. Mënyra e ndërtimit, nevojat personale të banorëve, kushtet gjeografike, mundësitë materiale, shtrirja, e forma e ndërtesave, hapësirat rekreative si dhe hapësirat e gjelbra përbëjnë si tërësi, pos tjerash, edhe një element të rëndësishëm të identitetit kombëtar.
Nëse një vizitor i huaj viziton ta zëmë Prizrenin, Vushtrrinë, Sarajevën, Mostarin etj. ai do të shohë një kala, një urë, një xhami, një hamam dhe do ta kuptojë nga këto pamje se në të vërtetë ndodhet në një qytezë me identitet osman. Një arkitekturë kjo që si identitet nacional tregon mes tjerash edhe faktin që popujt që jetuan nën pushtimin osman nuk patën fatin të përjetojnë mrekullitë e renesancës, të klasicizmit, barokut, romantizmit, iluminizmit.
Dikush që viziton Zagrebin, Vjenën, Budapestin, Pragën etj. do të jetë dëshmitar i një katedraleje impozante, një pallati opere, një teatri a muzeu dhe do të vërejë një ngjashmëri mes këtyre vendeve, e cila gjithashtu paraqet një identitet të caktuar, konkretisht atë austro-hungarez.
Pas Luftës së Dytë Botërore shfaqet modeli i arkitekturës real-socialiste, përmes së cilës synohet të krijohet një identitet i ri në të gjitha shtetet e bllokut komunist. Heqja dorë nga elementë nacionalë të arkitekturës, në llogari të një arkitekture moderne, provonte të fshinte kufijtë nacional, duke afruar dhe përbashkuar njerëzit rreth një arkitekture ideologjike. Sipas arkitektëve kjo u provua për shembull me mjaft sukses në planifikimin dhe ndërtimin e Beogradit të Ri. Projekti për ndërtimin e këtij qyteti të ri konsiderohej me të drejtë nga disa arkitektë si përqafim i modernizmit në arkitekturë dhe heqje dorë nga arkitektura dhe identiteti nacional serb. Arkitektura nacionale u “sakrifikua“ në llogari të një arkitekture të stilit të “Vëllazërim-Bashkimit“ dhe idesë së internacionalizmit, pra arkitekturë kjo e frymës internacionale e cila në ligjërimin e saj synonte një afrim dhe bashkim mes “popujve proletarë”.
Por a mund të përdoret arkitektura për qëllime politike ?
Në gjysmën e dytë të viteve shtatëdhjetë dhe fillim të tetëdhjetave, si student në Universitetin e Beogradit, më binte detyrimisht të kaloja kah rruga “Dr. Suboticha” dhe “Rankeova“. Aty ndodheshin klinikat e Fakultetit të Mjekësisë. Në mes të këtyre dy rrugëve ndodhej parku Karagjorgje. Ky park i emëruar me emrin e një figure të rëndësishme të historisë serbe mban edhe përmendoren e tij. Tani është botërisht e ditur se Karagjorgje është themelues i shtetit modern serb, por që përkundër meritave të mëdha për krijimin e shtetit ai përmendet fare pak, për arsye se të gjitha të dhënat serioze të historisë tregojnë se ai ishte me prejardhje shqiptare nga familja Kelmendi!
Për paradoks, një shqiptar është themelues i shtetit modern serb, sikur një tjetër që themeloi Egjiptin modern, Mehmet Ali Pasha (1769-1849), por që asnjërit nuk i njihen meritat.
Mbaj mend se në atë park nga ana e majtë e rrugës ishin disa rrënoja për të cilat nuk ia kisha idenë se çfarë të kaluare i takonin. Ato mure të braktisura ishin mbuluar me barishte, mbeturina, thera, shkurre etj. dhe kalimtarëve të rastit, mes tyre edhe mua, na shërbenin për ndonjë emergjencë!
Më vonë kam kuptuar se bëhej fjalë për rrënojat e një kishe të ndërtuar në vendin ku supozohet se diku në vitin 1595 Sinan Pasha i kishte djegur eshtrat e themeluesit të Kishës Ortodokse Serbe, Shën Savës.
Në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar Kisha Ortodokse Serbe organizoi shëtitjen e eshtrave të Shën Savës, të djegur 400 vjet më parë (!), gjithandej nëpër ish-Jugosllavi, duke vizatuar kështu kufijtë e Serbisë së Madhe. Kjo paradë ishte një vrasje e paralajmëruar dhe i parapriu të gjitha fatkeqësive të popujve të ish-Jugosllavisë. Pasoi gjenocidi me luftëra të njëpasnjëshme, vrasje, pushkatime, djegie, pastrime etnike, masakra, përdhunime, varreza masive, krime këto më të tmerrshmet pas Luftës së Dytë Botërore, të kryera nga shteti serb, të projektuara dhe planifikuara nga elitat e tyre intelektuale dhe nga vet Kisha Ortodokse Serbe.
Zoti në shekullin XXI nuk shërben për gjë tjetër, veçse për forcimin e identitetit kombëtar do të thoshte Harari. Kur janë në pyetje serbët kjo vlen për të gjitha periudhat kohore, që nga themelimi i kishës se tyre.
Diplomati dhe historiani i shquar serb Çedomil Mijatoviq (1842-1932) në vëzhgimet e tij të shekullit XX-të, e që vlejnë edhe sot, thoshte: “Ndjenja fetare e serbëve nuk është as e thellë as e ngrohtë. Kishat e tyre janë në përgjithësi të zbrazëta, me përjashtim kur ka kremte të mëdha kishtare dhe politike. Serbët e ditëve tona e konsiderojnë kishën si një institucion politik…”!
Një vëzhgues i rëndomtë do të vërente fare lehtë se kleri dhe Kisha Ortodokse Serbe kanë fare pak të bëjnë me Zotin. Në të vërtetë ky kler e kjo kishë gjasojnë me formacione paraushtarake, ndërkohë qe fenë dhe Zotin i shfrytëzojnë vetëm si infrastrukturë për forcimin e kombit, pushtime, zgjerim territoresh dhe bërje fakt të kryer të gjendjes. Të thirresh në Zot për të realizuar bindjen tënde politike është blasfemi arrogante dhe fyerje e Zotit.
Në luftën e fundit po këta popa e kjo kishë inspiruan, bekuan dhe nisën për në beteja të përgjakshme shumë “besimtarë” të cilët bënë krime të llahtarshme. Po këta popa e kjo kishë strehuan kriminelët më të mëdhenj të njerëzimit, si Karaxhiqin e Mlladiqin e të tjerë.
Para më shumë se një viti, në vazhdën e përpjekjeve për pushtim dhe zgjerim të territoreve serbe, një shpurë popash ishte nisur drejt pushtimit të hapësirave etnike shqiptare në Mal të Zi, për të “bekuar dhe shenjtëruar” disa mure të kishave, që në të vërtetë janë shqiptare. Shenjtërimi i objekteve është një veprim aspak naiv. Kjo ndërmarrje legjitimon pas shenjtërimit përdorimin e të gjitha mjeteve për mbrojtjen e tyre, do të thoshte Arbën Xhaferi. Kjo mënyrë tinëzare dhe djallëzore e klerit dhe popave, që me një ceremoni shenjtërimi, duke vendosë një kryq në fillim, të uzurpojnë në të vërtetë objektet e “tokave të reja”, i paraprinë si pararojë një force ushtarake, e cila në një moment të përshtatshëm do ta bëjë realitet faktik situatën, duke i pushtuar ato e më pas vendosur nën administrimin e kishës dhe të shtetit.
Ishte reagimi i shqiptarëve etnik të atyre viseve, të cilët u dolën në rrugë dhe penguan popat serb në qëllimet e tyre të liga. Dy njerëz nga turma u shquan duke u thënë atyre dhe mediave se këto kisha janë shqiptare. Ajo që është më interesant ishte se njëri nga ta shtoi se është i besimit islam, por i mbron ato si kisha të popullit shqiptar. Popat u zmbrapsën deri në një moment tjetër më të përshtatshëm.
Kohë më parë u bëmë dëshmitarë edhe të një tendence tjetër të “shenjtërimit” të një objekti tjetër, kësaj radhe të karakterit ushtarak, të karaullës së Koshares, një “Gazimestanit” të ri serb.
Të kthemi tek kisha në parkun Karagjorgje. Kjo kishë u rindërtua më 1989 në funksion të nacional-fashizmit serb. Këto ditë pritet inaugurimi i saj, mbase nga vet Vladimir Putin. Se arkitektura mund të keqpërdoret si instrument i propagandës dhe i pushtimeve të tokave të reja shembull shkollor është përpjekja e përvetësimit dhe bërjes fakt i kryer i kishave shqiptare nga kleri serb. Për të krijuar një identitet nacional dhe kulturor si shtrirje në një hapësirë, me qëllim përvetësimi si diçka “që po shihet me sy”, është rasti i kishës në parkun Karagjorgje në Beograd dhe ngjashmëria jo-rastësore me atë në hapësirën e Universitetit të Prishtinës. Pra, ringritja e Kishës në parkun Karagjorgje në Beograd, në të djathtën e së cilës është biblioteka dhe ndërtimi i një kishe identike në hapësirën e oborrit të bibliotekës ekzistuese në Prishtinë, sikundër që vërehet edhe në Nish, s’është gjë tjetër, pos një funksion i krijimit të një tërësie identitare serbe në vijën Beograd-Nish-Prishtinë. Pra, një identitet arkitektonik e hapësinor serb, që i shpalos vizitorit një tërësi identiteti, një shtrirje që përcjell një përshtypje, por edhe një porosi, se kush është autokton e pronar i këtyre hapësirave.
Gabimi i pafalshëm që është bërë nga negociatorët e Kosovës rreth planit të Aahtisarit, i cili këto kisha i quan serbe në vend se t’i quaj ortodokse, do të vazhdojë të prodhojë pasoja edhe në të ardhmen dhe ai nuk guxon të përsëritet me kishën ortodokse në oborrin e Universitetit të Prishtinës.