Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve në Kosovë, që nga viti 2018 e deri më tani u ka dërguar mbi 200 kallëzime penale Prokurorive të Kosovës, rreth dhunës dhe keqtrajtimit të kafshëve.
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve në Kosovë, që nga viti 2018 e deri më tani u ka dërguar mbi 200 kallëzime penale Prokurorive të Kosovës, rreth dhunës dhe keqtrajtimit të kafshëve.
E kjo dhunë ndaj kafshëve në Kosovë, është thënë se nuk po trajtohet me seriozitet nga institucionet e drejtësisë dhe kjo është arsyeja pse sot, Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve në Kosovë ka organizuar punëtorinë për përmirësimin e kapaciteteve të profesionistëve të drejtësisë për trajtimin e çështjeve penale që lidhen me keqtrajtimin e kafshëve.
Udhëheqësja e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, Elza Ramadani, ka thënë se si organizatë kanë paraqitur kallëzime penale të shumta por që sipas saj nuk ka pasur ndonjë reagim prej tyre.
“Ne si organizatë merremi qe sa kohë me raportimin e dhunës dhe abuzimit ndaj kafshëve dhe luftërave mes qenve që është një fenomen negativ shumë i përhapur në vendin tonë dhe rajon. Ne u kemi dërguar qindra kallëzime penale Prokurorive të Kosovës dhe në stacione policore. Ne mendojmë që njerëzit/ zyrtarët brenda institucioneve ligj zbatuese nuk është që nuk dëshirojnë me u marrë me këto çështje, po ka munguar edhe raportimi dhe shumë mekanizma tjerë legjislativ”, ka thënë Ramadani.
Ramadani, ka shtuar se këto 200 raste që janë raportuar, përveç dhunës është raportuar edhe ankesa ndaj inspektoratit veterinar.
“Mbi 200 raste gjithsesi janë lajmëruar, të dhunës ndaj kafshëve, përveç dhunës kemi dërguar edhe qindra ankesa të inspektoratit veterinar apo te akterë tjerë, ku përfshihen edhe kafshët e egra apo kafshët tjera”, ka shtuar ajo.
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve në Kosovë, në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë dhe mbështetjen e Fondacionit Naturewatch, ka organizuar trajnim dhe punëtori për përmirësimin e kapaciteteve të profesionistëve të drejtësisë për trajtimin e çështjeve penale që lidhen me keqtrajtimin e kafshëve. /kp