Presidenti i Serbis Aleksandar Vuçiq ka folur në një akademi mbajtur me rastin e përvjetorit të intervenimit të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999.
“Kurfarë ndërhyrje, kurfarë fushate, kurfarë operacioni! Ishte agresion, një sulm ndaj një vendi sovran, pa një vendim të Kombeve të Bashkuara, pa një sulm të Jugosllavisë së atëhershme kundër ndonjë vendi fqinj ose ndonjë shteti të NATO-s”, ka pretenduar Vuçiq.
Ai ka thënë se Serbia, gjegjësisht RFJ “askënd nuk e ka sulmuar”, përkundër asaj që NATO e ka sulmuar Serbinë me qëllim “që të na mposhtin, të na vrasin dhe të na rrëmbejnë një pjesë të territorit”.
Ai kërkoi nga “fqinjët shqiptarë” dhe të gjithë të tjerët që “treguan mizorinë e tyre ndaj Serbisë” të “mos e kërcënojnë atë”.
“Edhe sot, kur na kërcënojnë me formimin e Shqipërisë së Madhe, kur thonë se nuk ka asgjë nga Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, ne duhet të dërgojmë një mesazh të qartë të gjithë atyre të mëdhenjve dhe të fuqishmëve se nuk jemi më të dobët, se do të jemi në gjendje të ruajmë atë që është e jona. Serbia nuk është dhe nuk do të jetë një grusht tërshërë dhe kripë për çdo sorrë të botës që do të ushqehet në të”, ka thënë ai duke vazhduar në të njëjtën frymë, “mos e nënvlerësoni Serbinë dhe mos e shikoni me të njëjtët sy siç kenë parë në vitin 1999”.
“Tani ajo është shumë më e fortë dhe më e fuqishme, më e bashkuar dhe jo e ndarë. Sot, Serbia ka gjithçka në mënyrë të pakrahasueshme më të mirë se në vitin 1999, nga ekonomia e deri te ushtria”, ka thënë Vuçiq.
“Serbia është sot është më fuqishme se kurrë, e pathyeshme, e palëkundur, dhe kurrë e nënshtruar. Lavdi të gjithë viktimave të agresionit dhe le të bërtasim të gjithë së bashku – rroftë Serbia krenare dhe e pathyeshme! “- me këto fjalë Vuçiq e përfundoi fjalimin e tij./Insajderi.org.