Greva e nisur sot zyrtarisht nga shërbyesit civil nuk është pritur mirë nga Qeveria Kurti. Në mëngjesin e sotëm grevistët iu nisë një e-mail për t’i njoftuar për pasojat që i presin ata. Ata po rrezikojnë të mbesin pa paga e benifite tjera. Kështu konfirmoi për Insajderin zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu i cili u shpreh se ligjërisht është e lejuar një lëvizje e tillë.
Ky vendim i qeverisë po cilësohet skandaloz e i papranueshëm nga ana e nënkryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.
Ajo për Insajderin tha se Kurti është një kryeministër që e do nënshtrimin.
“Kjo është skandaloze, e papranueshme dhe e turpshme. Greva është e drejtë e garantuar me ligj. Kemi një kryeministër i cili nuk do bashkëbisedim, por nënshtrim. Kemi një kryeministër i cili do ta eliminoj dialogun social. I përbuzë mësuesit, mjekët, veteranët…”, tha Çitaku për Insajderin.
Skandaloze vendimin e Qeverisë Kurti po e quan edhe kreu i Grevistëve të BSPK-së, njëherit kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj derisa paralajmëroi se mund të ketë eskalim të situatës.
Ai tha për Insajderin se sipas ligjit për greva nuk mund të merren masa ndëshkuese ndaj grevistëve.
“Urojë të jetë dezinformatë. Por nëse është e vërtetë është një hap tejet i gabuar dhe skandaloz qoftë i ministrit Murati qoftë i Qeverisë Kurti, greva jonë është legjitime e paraparë edhe me ligjin për grevë, duhet ta lexojnë këtë ligj. Dhe aty thuhet se në grevën legjitime s’mund të merret asnjë masë ndëshkuese, me largim nga puna apo ndonjë ndëshkim tjetër material“, tha Jasharaj për Insajderin.
“Me kërcënime të tilla Kurti do të krijojë një situatë të rënduar, të acaruar dhe nuk besoj që do të jetë dëshirë e tyre aspak”, u shpreh ai.
I pyetur nëse ky vendim do t’i zprapsë, Jasharaj u shprehë i bindur që jo.
“Nuk do të zprapsemi, sepse jemi të sigurte që qeveria nuk do ta bëjë këtë hap sepse nëse e bën këtë hap në kohën kur ne po luftojmë edhe për një kafshatë të gojës, të na ndalet e tërë kafshata e tërë buka kam frikë se pastaj me apo pa qëllim qeveria do të krijojë një situatë tepër të rënduar, të esklauar dhe pastaj njerëzit me bark të uritur nuk mund të mendojnë qartë”, deklaroi ai.
“Ne këtë grevë po e bëjmë nga zori, e kemi lutur qeverinë në të gjitha mënyrat”.
Në një emali të drejtuar Ali Sefajt, anëtarit të këshillit Grevist dhe Përfaqësues i Shoqatave Sindikale të nivelit qendror, ministria ka kërkuar sipas nenit 18 që të kenë një listë të personave që janë në grevë për t’i pezulluar nga puna dhe tu ndalen benefitet.
Detajet për Gazetën Insajderi i shpalosi vet shkruesi i kësaj kërkese. Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu.
“Po është kërkesë ligjore është neni 18 i Ligjit për Greva, paragrafi 1, i cila kërkon që persona që janë në grevë tu pezullohen paga dhe përgjegjësia nga puna. Neni 18 i Ligjit për Greva kërkon pezullimin e kontratës së punë dhe të mos këtë përgjegjësi me punu po ashtu edhe të mos paguhet, vetëm për këtë arsyeje e kemi dërguar emalin”, tha Spahiu per Insajderin.
Tutje, zv.sekretari tregoi se ministria nuk ka qenë e njoftuar për grevë më herët dhe se sot ishin njoftuar.
“Sot e kemi marrë njoftimin për grevë nuk kemi pas më herët njoftim. I kemi shkruar sindikatave dhe i kemi garantuar që nuk e pengojmë grevën vetëm proceduralisht na duhet me ditë kush është në grevë, prej kujt mundemi të kërkojmë punë dhe prej kujt jo. Ne kemi pranuar sot email prej Ali Sefaj dhe ati i kemi kthyer emailin duke i treguar se administrativisht duhet zhvilluar disa procedura pa e penguar procesin e grevës”, tha Spahiu për Insajderi.
Ndërkohë, ka muaj të tërë që BSPK e SBASHK-u kanë paralajmëruar greva, paraprakisht pa pasur edhe veprime tjera sindikale para grevës së përgjithshme.
/GazetaInsajderi