
Këshilli Gjyqësor i Kosovës përmes një reagimi publik ka dënuar ashpër sulmin dhe kanosjen ndaj gjyqtarit mbikëqyrës të Degës në Gllogoc, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Shefqet Baleci.
KGjK thekson se sulmet e këtij lloji ndaj gjyqtarëve janë të papranueshme dhe të patolerueshme, dhe i dënon fuqishëm ato.
“Çdo akt i tillë përbën sulm ndaj sistemit të drejtësisë dhe ndaj vetë sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.
Këshilli Gjyqësor rikujton se siguria e gjyqtarëve nga sulmet dhe kërcënimet është thelbësore për pavarësinë e gjyqësorit dhe në luftën kundër krimit dhe dukurive negative.
“KGjK mbështet fuqishëm gjyqtarët në përmbushjen e detyrave të tyre në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale, në shërbim të drejtësisë dhe interesit publik. Njëkohësisht, u bën thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për hetimin e menjëhershëm të rastit dhe për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e gjyqtarëve, në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore”, vijon reagimi.