Gazetari Vullnet Krasniqi është kërcënuar me jetë nga një qytetar nga Lugina e Preshevës, i cili nëpërmjet një videoje të publikuar në TikTok ka thënë se po shkonte ta vriste atë.
“Unë jam në Prishtinë, dhëmbët kam me t’i shkulë me dane, kam me ta q f miljen, këtu kam me ta rrasë plumbin…Ta di adresën ku e ke saktë, ta dish, të banesës, mos shko në katund, mos thirr polici…”, dëgjohet ndër të tjera duke thënë personi në video.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësimin për sigurinë fizike të gazetarit Vullnet Krasniqi, duke i kërkuar Policisë që t’ia ofrojë atij mbrojtjen e duhur.
“AGK-ja, ka kontaktuar me gazetarin Krasniqi, dhe i njëjti aktualisht është duke e raportuar kërcënimin në Policinë e Kosovës. Për AGK-në, një kërcënim i tillë është jashtëzakonisht shqetësues, i papranueshëm dhe i bëjmë thirrje urgjente Policisë së Kosovës që të marrë masat e duhura ta lokalizojë kërcënuesin e gazetarit Krasniqi. Shqetësohemi për sigurinë fizike të Krasniqit, andaj ftojmë Policinë e Kosovës që t’i ofrojë mbrojtjen e duhur”, thuhet në reagimin e AGK-së.