E kërcënoi ‘Prishtina Mall’-in. Foli arabisht. Personi del të jetë në kontakt me grupe radikale, ani pse është I mitur. Por, AKI’ja e zbuloi shpejt. Insajderi sjell detaje ekskluzive nga ky incident:
Insajderi merr vesh nga burime përbrenda Policisë se qendra tregtare ‘Prishtina Mall’ ka pranuar një thirrje nga një i mitur, i cili ka përshëndetur në gjuhë arabe, e më pastaj ka kërcënuar në gjuhën shqipe “krejt njerëzit aty brenda…” duke ndërprerë më pas lidhjen telefonike.
Burime të policisë bëjnë të ditur se i mituri është identifikuar brenda pak minutash nga AKI’ja, ku më pas është kapur në një objekt shkollor ku po vijonte mësimin.
Personi i mitur është i njohur për organet e drejtësisë, mëson Insajderi. Siç thonë burimet brenda Policisë së Kosovës, ai është radikalizuar vitin e fundit, kurse është vënë në kontakt me persona të radikalizuar në Lindje të Mesme dhe vende arabe.
Siç thonë këto burime, organet kompetente e kanë intervistuar dhe e kanë bastisur dhomën e tij, duke konfiskuar të gjitha pajisjet që kishte në përdorim.
Kërkesa për kërcënim, sipas burimeve brenda policisë, ka ardhur jashtë Kosovës nga grupe të radikalizuara. /Insajderi.org/