Misin Thaqi, pronari i kompanisë “Lirimi & ACL” që u arrestua pasi ka kërcënuar një person me vrasje, është lënë i lirë. Ai u dërgua vetëm në mbajtje për 48 orë, dhe nuk iu caktua masa e paraburgimit.
Thaqi dyshohet se pas një mosmarrëveshje që lidhet me prona, më 25 qershor në rrugën “Jakov Xoxa” në kryeqytet kishte kanosur dy persona.
Denoncimi i rastit nga viktimat aktivizoi Policinë, me ç’rast i njëjti u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor, ku e mohoi t’i ketë kërcënuar viktimat.
Konflikti për pronësinë e disa lokaleve që eskaloi në kërcënim me vrasje i kushtoi Thaqit, pasi ndaj tij u lëshua urdhër për masën e ndalimit policor.
Megjithatë, brenda afatit ligjor, Prokuroria Themelore në Prishtinë, nuk ushtroi kërkesë për masën e paraburgimit.
Pas 48 orëve në mbajtje, sipas Sinjalit, Thaqi u lirua, teksa ndaj tij u iniciua hetim në drejtim të veprës penale “Kanosja”.
Sinjali ka raportuar për arrestimin dhe ndalimin e tij pasi kishte ndodhur incidenti.
Dy persona kanë dhënë deklaratat e tyre si viktima të këtij rasti, ndërsa edhe disa të tjera janë intervistuar si dëshmitarë të ngjarjes.