Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë Greg Delawie ka porositur deputetët e Kuvendit të Kosovës që të miratojnë ligjet që luftojnë korrupsionit.
Delawie është fokusuar në veçanti në dy ligje në atë për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, dhe Ligjin e ri për Procedurat Disiplinore për Gjykatësit dhe Prokurorët.
Dua të flas për dy gjëra që Kosova mund t’i bëjë pikërisht tani për ta luftuar korrupsionin – ta miratojë Ligjin e ri për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, dhe ta miratojë Ligjin e ri për Procedurat Disiplinore për Gjykatësit dhe Prokurorët kur ky ligj të arrijë në Kuvend, ka thënë Delawie në një video të postuar në llogarinë e tij në Twitter.
Delawie ka thënë ligjet aktuale mundësojnë kriminelet të bëjnë presion dhe të jenë jashtë burgjeve kinse për trajtime mjekësore.
“Këta kriminelë me lidhje të mira politike pretendonin se ishin të sëmurë, bënin presion në Ministrinë e Drejtësisë për t’i lënë jashtë burgut për trajtim mjekësor, dhe pastaj kalonin muaj të tërë duke udhëtuar nëpër rajon, dhe madje dhanë edhe intervista televizive”, ka thënë Delawie.
Delawie ka folur edhe për iniciativën e Nait Hasanit për zvogëlimin e dënimeve i cili këtë ide e ka quajtur tallje me sistemin gjyqësore.
“Fatkeqësisht, Kuvendi i Kosovës nuk e ka kaluar këtë ligj ende edhe pse ka pasur disa herë mundësinë që ta bëjë këtë. Edhe më keq, disa anëtarë të Kuvendit paraqitën një amandament i cili automatikisht do t’i zvogëlonte dënimet e të gjithë të dënuarve për një të tretën – veprim ky i cili do të tallte autoritetin gjyqësor”, ka thënë Delawie.
Ai më tutje ka thënë se udhëheqësit duhet të shfaqin përkushtimin duke luftuar korrupsionin dhe duke miratuar Ligjin për Procedurat Disiplinore për Gjykatësit dhe Prokuroret. Ai në fund tha se pret që në deri në fund të muajit ky ligj të miratohet.
“Udhëheqësit e Kosovës mund të shfaqin përkushtimin e tyre ndaj luftës kundër korrupsionit edhe duke miratuar Ligjin e ri për Procedurat Disiplinore për Gjykatësit dhe Prokurorët. Pres që ky ligj të miratohet kur qeveria ta dorëzojë atë, dhe shpresoj se kjo do të ndodhë më vonë gjatë këtij muaji”, ka thënë Delawie./Insajderi.com