Kërkesa e Erdoganit ndaj Thaçit për "shkollat e Gulenit" - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kërkesa e Erdoganit ndaj Thaçit për “shkollat e Gulenit”

    Insajderi
    30 December 2016 - 18:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Siç edhe është pritur, çështja Gylen, ka qenë tema kryesore që ka mbizotëruar gjatë qëndrimit të Presidentit të Kosovës në Ankara.

    Përderisa Thaçi është impresionuar me salltanetet në Pallatin e Erdoganit, Presidenti turk e ka shfrytëzuar takimin për hesape të tjera. Ai ka kërkuar mbylljen e shkollave të Gulenit, të cilin po e akuzon për tentim-puçin, gjatë verës. Ndërkohë ka thënë se do t’i shkollojë kosovarët nëpërmjet fondacionit Maarif, i cili tashmë është themeluar.

    Presidenti i Kosovës Hashim Thaci ka pritur 6 muaj për të realizuar takimin me shefin e Turqisë Recep Tayyip Erdogan. Takimi e ka kënaqur egon e Presidentit të Kosovës, pasi Erdogan i ka siguruar një pritje me nderime të larta, por e gjithë kjo e ka pasur një çmim.

    Erdogan i ka kërkuar mysafirit nga Kosova që t’i mbyllë shkollat e Fetullah Gulenit në Kosovë – në të cilat janë shkolluar shumë prej fëmijëve të liderëve kosovarë, përfshirë edhe djalin e Hashim Thaçit, Endritin.

    Ky fakt është përmendur edhe nga vetë Erdogan, i cili është në dijeni se fëmijët e “funksionarëve të lartë” kosovarë janë shkolluar aty.

    I akuzuari për tentim grusht shteti në Turqi, ka një rrjet të shkollave në Kosovë

    Kërkesën e tij Erdogan e ka elaboruar në mënyrë perfide, duke thënë se Kosova një ditë mund të ballafaqohet me rrezik nga të shkolluarit në këto shkolla.

    Por, ai ka joshur edhe në një mënyrë tjetër Hashim Thacin, i cili ka thënë se po e vëzhgojmë nga afër “çështjen Gylen”.

    Ai ka thënë se Turqia ka dhënë 248 dëshmorë  gjatë puçit të 15 korrikut, të cilin, sipas tij, e shkaktoi mentaliteti i FETO.

    “Ky mentalitet që është sot  në Turqi, nesër mund të shfaqet në Kosovë përmes atyre që rriten në ato shkolla. Ata do t’i pushtojnë shkollat, zyrat qeveritare, parlamentin. A shkollohen aty shtetasit e Turqisë? A shkollohen aty fëmijët e njerëzve të rëndësishëm në Kosovë? Ju po e bëni llogarinë tani. Llogarinë mos e bëni tani, llogarinë bëjeni për 10 vjet, 20 vjet pas. Këta i kanë bërë hapat e tyre 40 vjet më parë dhe tani filluan t’i korrin rezultatet”, ka thënë Erdogan.

    Ai më pas ka bërë edhe një ofertë duke dhënë një alternativë tjetër për shkollim. Erdogan ka njoftuar se është bërë një fondacion që të mbështesë shkollimin e kosovarëve, pasi të mbyllen shkollat e Gylen.

    “Tash ne jemi duke të e luftuar këtë dhe duke e bërë këtë jemi djegur. Nuk duam që edhe Kosova të digjet. Prandaj fondacioni Maarif, të cilin e kemi themeluar le të bashkëpunojë me arsimin kombëtar të Kosovës dhe të shkollojmë të rinjtë idealist të Kosovës. T’i shkollojmë si atdhedashës. Të mos jemi hezitues që nuk do të funksionojë, tradhtarë nuk do të dalin. Tradhtarë janë këta dhe ne paguam për këtë. Po e përsëris, nuk duam që edhe Kosova ta paguajë. Sepse Kosova nuk mundet ta përballojë këtë. Turqia kishte një fuqi për ta përballuar, por Kosova nuk mundet ta përballojë”, ka theksuar ai.

    Thaci ndërkaq në përgjigjen e tij, pas takimit me Erdogan, është shfaqur më i rezervuar duke thënë se cështja Gylen po vëzhgohet dhe  se nuk do të prishen raportet me Turqinë e Erdoganit.

    Thaci madje e ka vlerësuar lartë vizitën duke thënë se ajo është kurorëzim i vizitave që ka zhvilluar në vitin 2016.

    Në faqen e Presidencës turke thuhet se “një gazetar nga Kosova ia ka përkujtuar Presidentit Thaçi se nga disa qarqe vizita në Turqi është vlerësuar si një vizitë që nuk do të duhej të ndodhte, duke e kërkuar një përgjigje në lidhje me këtë vlerësim”

    “Për mua është një vizitë e rëndësishme dhe e fundit për këtë vit. Me këtë vizitë e kemi kurorëzuar vitin 2016”, tha Thaçi.

    “Ne jetojmë në demokraci, ne respektojmë pikëpamjet e ndryshme. Por marrëdhëniet strategjike të shtetit, asnjë njeri nuk mundet ti përcaktojë i vetëm. Këto janë vlerësime nën ndikimin e të tjerëve, dhe janë qasje  jo qëllimmira” ka shtuar ai

    Më pas Thaçi ka thënë se Turqia është vendi i parë që ka njohur pavarësinë e Kosovës, “ndërsa Presidenti Erdogan e ka uruar me telefon para se të shpallet pavarësia”.

    Edhe pse në konferencën për media me Erdogan, Thaçi është shfaqur i kujdesshëm që të mos premtojë mbylljen e shkollave të Gulen – ekstradimin e të cilit Turqia është duke e kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës- Thaçi është shfaqur i drejtëpredrejtë me Kryeministrin e Turqisë Binali Yildirim. /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark