Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, thonë se po presin që drejtues në Qendrën Klinike Universitare, të akuzuar për shpërdorim detyre, të largohen nga pozitat e tyre menaxheriale dhe të lejojnë përfundimin e rastit të hapur nga Kryeprokurori i Shtetit.
Por, kërkesa për largim nga detyra ose edhe pezullim në rastin më të fundit, është parë nga sindikalistët e shëndetësisë si proces politik.
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i tha Radios Evropa e Lirë, se në bazë të përgjegjësive të tij, ka shkarkuar sekretarin e përgjithshëm të ministrisë, pas ngritjes së aktuakuzës ndaj tij, dhe ka kërkuar dorëheqjen e të gjithë menaxherëve në QKUK, ndaj të cilëve Kryeprokurori i Kosovës ka ngritur aktakuzë.
‘’Mendimi im është që menaxherët duhet të jenë në nivel të lartë qytetarë dhe të lirojnë pozitat duke dhënë dorëheqje. Ne ia kemi përcjellë informatën me emra dhe mbiemra drejtorit të SHSKUK-së Curr Gjocaj, atë që ne kemi marrë nga Prokuroria dhe do të shohim se cka do të ndërrmarrë ai”.
“Aktakuza e ngritur ndaj profesionistëve shëndetësorë si dhe menaxherëve të institucioneve për rastin stenta, është kompetencë e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së pasi ata janë shërbyes civilë. Vendimin do ta merr drejtori Gjocaj dhe për pasojat eventuale qoftë poltike, qoftë nga veprimi ose mos veprimi do të jetë i adresuar tek shërbimi Spitalor Klinik Universitar”, tha Rrahmani.
Megjithëse i apostrofuar, kontakti me drejtorin e SHSKUK-së Curr Gjocaj, ishte pothuaj i pamundur edhe pas përpjekjeve të shumta për të marrë qëndrimin e tij. Më heret Gjocaj u ka deklaruar mediave se po pret përgjigje nga menaxherët e apostrofuar.
Një aktakuzë e ngritur nga Kryeprokurori i Shtetit, për siç thuhet, shpërdorim detyre dhe njëkohësisht edhe të fondeve për pacientët që dërgoheshin për shërim jashtë institucioneve publike shëndetësore, e ka detyruar një ministër të Qeverisë së Kosovës të jap dorëheqjen, ndërkohë që ka implikuar edhe 63 punonjës shëndetësorë.
Të gjithë të akuzuarit presin fillimin e gjykimit, në një rast të cilësuar si rasti “Stentat”, e i përfolur në opinionin publik, ndërkohë që thuhet se e gjithë situata ka ndikuar në punën e mjekëve në institucionet shëndetësore.
Ndërkohë, kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se nëse merret vendim për shkarkimin e mjekëve të cilët janë nën aktakuzë, këtë vendim e cilëson si politik..
‘’Ky është vendim politik nëse e ndërmerr bordi ose drejtori Curraj. Pa u vërtetuar gjërat pse duhet me i pezullu njerëzit. Ende nuk ka verdikt final. Gjysma e Parlamentit janë nën aktakuza – ata nuk i shkarkojnë, gjysma e ministrive janë nën aktakuza”, tha Syla.
Sipas tij pezullimi i pothuaj të gjithë mjekëve nga puna, do të sillte një situatë tejet të rënduar në Qendrën Klinike Universitare.
‘’Një shërbim do të shuhet, po qe se merret vendimi për shkarkim. 63 persona nuk mund të akuzohen më të njejtën aktakuzë, duhet me u nda gjanat. Pacientët do t’ja mësyjnë vendeve jashtë Kosovës”, ka thënë Syla.
Por, për ministrin Rrahmani, Kosova ka mjaft kardiologë që t’iu dalin në ndihmë pacientëve. Ai thotë se problem është sigurimi i teknikës dhe aparaturës, pasi që sic thotë, nuk po mund të plotësohen nevojat.
Ndryshe në Qeverinë e Kosovës, zëvendësimi i ministrit të larguar të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, konsiderohet si vendim politik të cilin tashmë e ka bërë kryeministri Isa Mustafa në marrëveshje me partnerët e koalicionit, ndërkohë që çështje më delikate, konsiderohet ajo e personelit mjekësor nën hetime.
Gjërat në QKUK nuk duket të jenë në rregull, që prej përfundimit të luftës. Së fundi, mjekët e apostrofuar në akuzën e Kryeprokurorit kanë paralajmëruar mundësinë e, siç thonë, “largimit nga vendet e punës deri në zgjidhjen e çështjes”. Kjo megjithatë mund të marrë kohë, marrë parasysh efikasitetin e gjyqësorit në vend. /REL