Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka arritur në Kosovë në një turne që do të ketë në Ballkanin Perëndimor.
Deutsche Welle raporton se qëllimi këtij mini-turneu është në radhë të parë largimi i bllokadave politike nga ngërçi.
Kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi vizitën e tij në Kosovë dhe Serbi në fillim të majit, gjatë bisedimeve në Berlin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ky tani është kthyer në një mision të zgjeruar për të zgjidhur problemet dypalëshe që qëndrojnë në rrugën e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, raporton DW.
Krahas Serbisë dhe Kosovës, kancelari gjerman do të vizitojë Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, konflikti i të cilave po ngadalëson gjithashtu procesin e zgjerimit të ndikimit të Brukselit në rajon.
Serbia po përgatitet për kërkesat e Berlinit
Ndalesa e parë e këtij turneu blic, i cili fillon të premten në mëngjes, është Kosova, ku Scholz do të vizitojë edhe ushtarët gjermanë që ndodhen atje në kuadër të njësive të KFOR-it. Pas bisedimeve në Prishtinë, ndalesa e radhës është kryeqyteti i Serbisë, ku siç shkruan DW, kancerlari gjerman po vjen në një terren pak më ndryshe: procesi që filloi shumë kohë përpara takimit të parë zyrtar midis Vuçiqit dhe Scholz në Berlin duket se është intensifikuar ditët e fundit.
Gjegjësisht, bëhet fjalë për përgatitjen e udhëheqjes shtetërore të Serbisë për kompromise me të cilat Beogradi do të detyrohet të pajtohet nëse dëshiron të vazhdojë rrugën e tij në drejtim të Bashkimit Evropian. Këto ditë mediat pranë autoriteteve serbe po shkruajnë shumë për kushtet me të cilat Scholz vjen në Beograd. Presidenti Vuçiq thotë se kancelari gjerman do të “vijë me mesazhe të vështira që shumëkujt nuk do t’i pëlqejnë”. Në të njëjtën frymë, megjithatë, Vuçiq flet edhe për mirënjohje për Gjermaninë, investimet e së cilës në Serbi ofrojnë 77,000 vende pune.
Vuçiq, siç raportojnë mediat në Serbi, nga zyra e Olaf Scholz është thënë se kancelari do të vinte në Beograd edhe nëse ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov do të mbërrinte në Serbi të hënën, më 6 qershor. Mirëpo, siç dihet, kjo nuk ndodhi pasi Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi ndaluan fluturimin e avionit të ministrit rus.
Zhbllokimi e negociatave nga ngërçi
Mediat e Beogradit spekulojnë se Scholz, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, do të insistojë në kompromise që përfundimisht do të rezultojnë në normalizimin e marrëdhënieve. “Do të funksionojë vetëm përmes marrëveshjeve konkrete të arritura nga të dy vendet. Ka shumë detaje, por sigurisht që përfshin atë që Gjermania ka bërë për një kohë të gjatë, e kjo është njohja e Kosovës”, tha Scholz më 4 maj në Berlin në takim me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Pas kësaj, kancelari është takuar me Vuçiqin në të njëjtën ditë dhe ndoshta këto janë “mesazhet e vështira” për të cilat flet presidenti i Serbisë.
Në çdo rast, nuk është bërë asnjë përparim që nga takimi i Scholz me Vuçiqin dhe Kurtin në fillim të majit, i ndjekur nga një takim i drejtpërdrejtë mes presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës në të njëjtën ditë, në prani të të dërguarit të posaçëm të BE-së për negociatat, Miroslav Lajçak, raporton DW.
Në pak orët që do të kalojë në Beograd, “më tej, duhet të diskutohen zyrtarisht reagimet e përbashkëta ndaj agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, siç njoftoi zyra e kancelarit. Gjatë vizitës së Vuçiqit në Berlin, Scholz theksoi se Serbia e dënoi agresionin rus, duke vënë në dukje se Beogradi, pavarësisht se u përmbajt nga sanksionet, qëndroi në anën e BE-së dhe kështu përmbushi kushtin për t’iu përmbajtur udhëzimeve të politikës së jashtme të vendosura nga Brukseli ndaj vendeve kandidate për anëtarësimin.