Kanë vazhduar kërkimet për aeroplanin ushtarak të zhdukur kohët e fundit në Mianmar, kurse deri më tani ekipet e shpëtimit kanë gjetur trupat e 76 viktimave nga gjithsej 122 sa ishin në avionin që u zhduk nga radari gjatë fluturimit mbi Oqeanin Indian.
Ushtria e Mianmarit ka deklaruar se kërkimet për avionin transportues ushtarak të zhdukur kanë rifilluar këtë mëngjes dhe se janë angazhuar njësi shtesë të marinës pas përmirësimit të kushteve të motit në Detin Andaman.
Ekipet e shpëtimit sot nga deti kanë nxjerrë edhe 17 trupa të pajetë, ku numri i të gjeturve pas aksidentit është rritur në 76, ndërsa po vazhdojnë kërkimet edhe për 46 të tjerë. Në mesin e udhëtarëve të gjetur janë 28 gra dhe 12 fëmijë.
Zëdhënësi i ushtrisë të Mianmarit, gjenerali Aung Ye Win ka thënë më parë se ka pak gjasa që ndonjëri prej 122 njerëzve ti ketë mbijetuar aksidentit.
Menjëherë pas fluturimit nga aeroporti ushtarak në Myeik, avion ushtarak i mallrave me 122 persona u zhduk të mërkurën gjatë fluturimit për në Yangon. Në avion ndodheshin 14 anëtarë të ekuipazhit dhe 108 ushtarë dhe familjarët e tyre.
Rezultatet paraprake të hetimit tregojnë se shkaktar kryesor i aksidentit mund të ketë qenë stuhia, raporton AA.
Në kërkimet për avionin e zhdukur janë përfshirë nëntë anije ushtarake, gjashtë avionë ushtarak dhe tre helikopterë.
Vendi ku u zhduk avioni i ushtrisë të Mianmarit të mërkurën është vetëm disa qindra kilometra në veri, në Oqeanin Indian ku nga radari ishte zhdukur avioni i pasagjerëve të linjës nga Kuala Lumpur për Pekin në mars të 2014. Avioni i Malaysia Airlines akoma nuk është gjetur.