Kërkohen nga SHBA për ekstradim, arratisen nga arresti shtëpiak në Serbi dy persona - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Kërkohen nga SHBA për ekstradim, arratisen nga arresti shtëpiak në Serbi dy persona

    Insajderi
    09 September 2025 - 19:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shtetasi kinez Cuj Guanghaj, dhe ai britanik John Miller, ekstradimin e të cilëve e kërkojnë Shtetet e Bashkuara nën akuzat për spiunazh dhe kontrabandë të teknologjisë ushtarake, janë arratisur nga arresti shtëpiak në Beograd dhe kanë hequr byzylykët elektronikë, ka konfirmuar të martën Gjykata e Lartë e Beogradit për Radion Evropa e Lirë.

    Gjykata e Lartë ka urdhëruar shpalljen e fletarrestimit për këta dy persona.

    Ata u arrestuan në prill në Beograd me fletarrestim ndërkombëtar, me kërkesë të SHBA-së.

    Atëbotë, Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi se shtetasi kinez dhe ai britanik dyshohen se kanë “koordinuar dhe drejtuar një komplot për të frikësuar dhe kërcënuar një qytetar të Los Anxhelosit, i cili publikisht kishte kritikuar presidentin kinez Xi Jinping”.

    “Cui dhe Miller kanë angazhuar dy persona në Shtetet e Bashkuara për të zbatuar komplotin, me qëllim që të pengonin viktimën të protestonte kundër paraqitjes së presidentit Xi në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Aziatiko-Paqësor [APEC] në nëntor 2023”, tha Departamenti i Drejtësisë përmes një njoftimi.

    Aty po ashtu u tha se dyshohet që Cui dhe Miller kanë zbatuar një plan të ngjashëm edhe në pranverën e vitit 2025, “pasi viktima kishte thënë se planifikonte të publikonte një video online, e cila shfaqte dy statuja të reja artistike të presidentit Xi dhe bashkëshortes së tij”.

    Në njoftim u thase Cui dhe Miller i kanë paguar “dy persona të tjerë rreth 36.500 dollarë që ta bindnin viktimën të hiqte dorë nga publikimi online i statujave. Pa dijeninë e Cuit dhe Millerit, ata dy persona kishin gjithashtu lidhje me FBI-në dhe vepronin sipas urdhrit të agjencisë”.

    Siç u theksua, Byroja Federale amerikane e Hetimit (FBI) është duke e hetuar këtë rast.

    Rrjeti hulumtues BIRN më herët kishte raportuar se ndaj këtyre dy personave në SHBA janë ngritur dy aktakuza të ndara, njëra për “organizimin e përndjekjes dhe frikësimit”, dhe tjetra për tentim të tregtisë ilegale me pajisje ushtarake amerikane dhe kontrabandimin e tyre në Kinë.

    Marrëveshjen për ekstradim mes Serbisë dhe SHBA-së është ratifikuar në Parlamentin serb në shkurt të vitit 2019. Kjo marrëveshje mundëson shkëmbimin e të arratisurve nga drejtësia, pa marrë parasysh shtetësinë./ REL


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark