Mbrojtësit e të dënuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, avokatët Gëzim Kollçaku dhe Ahmet Tahiri kërkuan nga Gjykata e Apelit që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë të ndryshohet dhe i akuzuari Naser Pajazitaj të lirohet nga akuza për vrasje. Në qershor të këtij viti, ai është dënuar me burgim të përjetshëm.
Avokatët kanë thënë se ka shkelje esenciale, vërtetim i gabuar i gjendjes faktike dhe vendimit mbi dënimin, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, prokuroria me parashtresë ka propozuar që ankesa e mbrojtësve Kollçaku dhe Tahiri të refuzohet si e pabazuar ndërsa aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.
“Në ankesën time kam potencuar shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, në përgjithësi i kam cekur shkeljet e nenit 370 të Kodit të Procedurës Penale, kam potencuar që gjykata e shkallës së parë gabimisht ka interpretuar të gjitha provat materiale të cilat janë cekur, ka konstatuar prova të cilat askush nuk i ka parë gjatë asnjë shqyrtimi gjyqësor”, ka thënë Kollçaku.
I njëjti krejt në fund i ka propozuar gjykatës që i mbrojturi i tij të lirohet.
“Kam kërkuar që kjo çështje të përfundoj këtu, i mbrojturi im të lirohet nga përgjegjësia”, tha Kollçaku.
I akuzuari Pajazitaj tha se e ndjen veten të pafajshëm dhe se Gjykata Themelore në Ferizaj e ka ditur se kush është kryes i veprës penale.
“E ndjej vetën tërësisht të pafajshëm për veprën e cila më vihet në barrë, faktikisht 90% gjykata në Ferizaj e ka ditë se kush është kryesi i veprës, i cili është deklaru vetë në shkresat e lëndës, Haki Pajaziti qysh në janarin e vitit 2016 në pyetjen e prokurores kur e ka marrë në pyetje pa prezencën e mbrojtësit tim thuhet në deklaratë Haki Pajaziti akuzon Naser Pajazitin për t’i mbulu marritë e veta”, ka thënë i akuzuari Pajazitaj.
Ky rast kishte marrë epilog dy herë në Gjykatën Themelore në Pejë, ku pas gjykimit të parë Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm, kurse pas gjykimit të dytë, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Por, në të dy rastet, aktgjykimet ishin anuluar nga Gjykata e Apelit, përkatësisht Gjykata Supreme dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.
Ndërsa, më 27 maj 2021, Gjykata Themelore në Ferizaj, e kishte dënuar Pajazitajn me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë, kurse Gjykata e Apelit më 29 tetor 2021 këtë çështje e ktheu në rivendosje në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017 nga prokurorja Valbona Disha– Haxhosaj, Naser Pajazitaj akuzohej se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan, e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.
Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Pajazitaj e ka bërë në atë mënyrë që derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë në këmbë së bashku me axhën e saj dhe kur kanë arritur tek bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, aty pari kaloni pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij të tipit xhip sheroke me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë duke shtënë dy herë në kokë, e më pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse viktima më 27 dhjetor 2015 është gjetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit. BpD