Aksioni në pesë lokacione që u zhvillua dje solli në pranga të Policisë së Kosovës, pesë persona.
Ata dyshohet se mashtruan disa persona me bitcoin.
E ndaj tyre Prokuroria po kërkon të merret vendimi për paraburgim.
Kjo u konfirmua në një përgjigje për Insajderi nga Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
Ulaj bëri të ditur se përvec pesë të arrestuarve edhe dy të tjerë të dyshuar janë shpallur në kërkim.
Derisa, gjatë ditës së djeshme për këtë aksion kanë njoftuar edhe Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media.
“B.Sh., B.H., V.C., B.B. dhe L.B., dyshohen se nga muaji janar-prill 2024, në bashkëkryerje, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete i kanë vënë në lajthim palët e dëmtuara, kinse do t’iu shesin bitcoina, duke i nxitur kështu të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre dhe me këto veprime kanë arritur të përfitojnë shuma të konsiderueshme të parave. Në këtë çështje penale janë në kërkim edhe dy persona të tjerë të dyshuar, të cilët nuk janë gjetur në objektet përkatëse”, thuhej në komunikatë.
/Insajderi.org/