Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në këtë komunë caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj 15 të pandehurve lidhur me rastin “Brezovica”.
“Të pandehurit me inicialet: B.S., F.S., E.S., A.S., L.H., Sh.R., R.A.,M.A., K.G., S.B., A.M.,B.A.,B.O., N.A., dhe Sh.H., të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për shkak të dyshimit të veprave penale “Fajdeja”, “Shmangja nga tatimi” dhe “Detyrimi”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se në këtë aksion të prokurorisë, në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe sekuestruar: para, vetura, armë dhe dokumente të ndryshme.
Gjatë këtij aksioni janë kontrolluar dhe bastisur një numër i madh i auto salloneve, shtëpive dhe lokaleve përcjellëse në lokacione të ndryshme, konkretisht në qytetin e Prishtinës, Ferizajt, Vushtrrisë, Lipjanit dhe komunës së Vitisë.