Prokuroria Themelore në Prishtinë ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për dy të dyshuara për keqtrajtimin e një fëmije tre-vjeçar institucionit parashkollor ‘Gëzimi ynë’ në Fushë Kosovë.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria njofton se N.M dhe N.H dyshohen për veprat penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”.
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, fëmija është dërguar për t’i përfunduar ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore, sipas dispozitave të KPPRK-së, andaj në bazë të rezultateve nga ky raport, dyshohet se të pandehurat duke i keqpërdor detyrat e tyre zyrtare, me dashje e me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore, me forcë e kanë tërhequr për krahë të dëmtuarin e mitur, në atë mënyrë që i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore”, thuhet në njoftim.
Në pamjet e publikuara nga ambientet brenda çerdhes shihet teksa 3-vjeçari, tërhiqet zvarrë nga mësueset, ndërsa tashmë janë publikuar edhe foto nga lëndimet që ka marrë fëmija.