Malush Kelmendi, zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), u arrestua të martën nga Krimet Ekonomike nën dyshimin për falsifikim të dokumentit, me qëllim të lirimit të pronave të bllokuara të një biznesi.
Për Kelmendin, prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, për Gazetën Insajderi.
“Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, pranë Gjykatës kompetente, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, për shkak të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas KPRK-së”, njoftoi Ulaj.
Gazeta Insajderi raportoi dje se Kelmendi është i emëruar në pozitën e zyrtarit të mesëm në Departamentin për Menaxhimin e Mbledhjes së Borxheve në ATK. Kelmendi figuron të jetë emëruar në departamentin për mbledhjen e borxheve që nga një tetori i 2002-ës.
Funksioni i Kelmendit në departamentin në fjalë është “zyrtar i mesëm i mbledhjes së detyrueshme” në Zyrën Qëndrore të ATK-së në Prishtinë.
Zyrtari i arrestuar i ATK-së në deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë figuron t’i ketë në posedim tri toka me sipërfaqe si vijojnë: Tokë 274 metra katrorë në vlerë prej 1,200 eurosh metri, 426 metra katrorë në vlerë prej 1,200 euro dhe tokë tjetër prej 300 metrash katrorë me të njëjtën vlerë të metrit. Të gjitha figurojnë të blera më 2005-ën.
Policia e Kosovës njoftoi të të martën për arrestimin e Malush Kelmendit. Sipas njoftimit të PK-së, i dyshuari me dashje dhe dijeninë e tij, ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme duke e keqpërdorur detyrën zyrtare.
“I dyshuari M. K., viti i lindjes 1969, mashkull/kosovar, kishte lëshuar dokument të rrejshëm në emër të ATK-së, me qëllim që një biznesi të caktuar t’i lirohen pronat e bllokuara”, u tha në njoftimin e policisë.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me ATK-në për koment lidhur me rastin, mirëpo këta të fundit ka thënë se s’ka pranuar ende njoftim nga institucionet kompetente.
“ATK ende nuk ka pranuar një njoftim nga institucionet kompetente. Momenti që pranojmë një njoftim të tillë do të ndërmarrim hapat sipas dispozitave ligjore”, thuhet në përgjigjen e ATK-së. /Insajderi.org/