Kërkohet të merren masa disiplinore ndaj Prindon Sadriut, "Presidentja të deklarohet kundër gjuhës denigruese ndaj mediave” - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kërkohet të merren masa disiplinore ndaj Prindon Sadriut, “Presidentja të deklarohet kundër gjuhës denigruese ndaj mediave”

    Insajderi
    09 February 2022 - 13:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Instituti për Politika Spciale, “Musine Kokalari”, ka reaguar pas gjuhës së përdorur nga Prindon Sadriu, kundër mediave dhe gazetarëve.

    Në reagimin e këtij institutit thuhet se sulmet nga ana e zyrtarëve shtetërorë në drejtim të mediave janë të papranueshme dhe të dëmshme për demokracinë.

    “Sulmet e denigrimet ndaj medias dhe gazetarëve nga ana e zyrtarëve shtetëror po dinamizohen çdo ditë e më shumë duke marrë trajtën e një fushate të organizuar denigruese. Këto sulme janë të papranueshme dhe shumë të dëmshme për demokracinë tonë. Në vend të dënimit të kësaj gjuhe, eksponentë të pushtetit ekzekutiv dhe të partive politike në pushtet, po rrisin përdorimin e gjuhës linçuese ndaj mediave dhe gazetarëve”, thuhet në reagim.

    Instituti “Musine Kokalari” ka ftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës që të marrin masa disiplinore ndaj Sadriut.

    “Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari fton Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe Ministrinë e Forcës të Sigurisë së Kosovës të Republikës së Kosovës, që të marrin masa disiplinore ndaj z.Prindon Sadriu, zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe epror rezervë në Forcat e Sigurisë të Kosovës, si pasojë e sulmeve të tij publike denigruese ndaj mediave dhe gazetarëve duke i quajtur “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, thuhet në reagim.

    Po ashtu, ky institut ka ftuar edhe krerët e institucioneve e veçanërisht Presidenten Vjosa Osmani, që të dalë kundër gjuhës së Sadriut.

    “Ftojmë gjithashtu krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës, e veçanërisht Presidenten e Republikës së Kosovës, z.Vjosa Osmani, që të shprehet qartësisht kundër kësaj gjuhe dhe në mbrojtje të medias së lirë dhe gazetarëve. Z.Sadriu është përfshirë në sulme verbale tejet të rënda ndaj të gjitha mediave pa dallim për shkak të raportimit të këtyre mediave në lidhje me Presidenten Vjosa Osmani. Prandaj dhe kështu, kjo çështje shndërrohet edhe në personale”, thuhet në reagim.

    Ndryshe, mbrëmjen e së martës, Prindon Sadriu përmes një statusi në Facebook ka reaguar pasi publikimit të shpenzimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

    Në shpenzimet e publikuara, del që Osmani ka shpenzuar mijëra euro në karburante për udhëtim në kohën sa ishte deputete, madje Gazeta Insajderi ka raportuar se Osmani ka bërë këto shpenzime në kohën sa jetonte në Prishtinë.

    Sadriu ka reaguar duke e shpërndarë reagimin e këshilltarit të Presidentes, Bekim Kupina, dhe duke sulmuar mediat. Ai po ashtu ka thënë se me këto publikime po mundohet të “njolloset puna e Presidentes”.

    “Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijera dollarë). Bileta avioni First Class e rrallë herë Business Class. Për Economy as që flitej. Ju nuk keni lënë gjë publike pa keqpërdorë”, shkruan Sadriu.

    “Dhjetëra miliona euro keqpërdorime të qytetarëve përmes të cilave keni blerë televizione, portale e paguani ‘qepues’ për t’u munduar ta njollosni punën e ndershme të Presidentes. Për juve shteti është vetëm mjet për mbrojtjen e interesave biznesore e kriminale. Kaq!”, përfundon ai.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark