Pavarësisht një ligji, me të cilin do të duhej të përfitonin kategori të caktuara në shoqëri, përfshirë edhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, një buxhet i paraparë për këto kategori të shoqërisë, thuhet se është tejet i vogël për të përmbushur nevojat e tyre.
Megjithëse janë ndarë 25 milionë euro në përputhje me Ligjin për të rënët, invalidët, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku përfshihen edhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, ato nuk u janë shpërndarë ende përfituesve për shkak të moskrijimit të një Komisioni Qeveritar.
Zyrtarë të Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovë kanë se nga buxheti i Kosovës janë ndarë mjetet për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, mirëpo po presin një vendim të Qeverisë për themelimin e mekanizmit qeveritar.
“Janë 25 milionë euro mjete të ndara për Ligjin për të rënët, invalidët, luftëtarët e UÇK-së dhe viktimat dhunës seksuale të luftës. Pra, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, janë të përfshirë në këtë fond, mjete këto që nuk kanë filluar të ndahen. Problemi qëndron aty se këto mjete nuk mjaftojnë as për veteranët”, thotë zëvendësministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Agim Krasniqi.
Ka afro dy vjet që kur Ligj për të rënët, invalidët, luftëtarët e UÇK-së dhe viktimat dhunës seksuale të luftës, u miratua në Kuvendin e Kosovës.
Ky ligj i cili u miratu pas 15 vjetësh, njohu statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë Luftës në Kosovë, por i njëjti është dashur të përcillet edhe me hapin konkret për krijimin e Komisionit Qeveritar që do të përkujdesej për këtë kategori.
Zyrtarë të Qeverisë thonë se procedurat e shpalljes së konkursit për anëtarët e Komisionit qeveritar janë hapur dhe pritet që ai të funksionalizohet së shpejti.
Ndërsa Sokol Havolli shef i kabinetit të Kryeminstrit Isa Mustafa ka thënë se ky ligj është miratuar në Qeveri dhe tani jemi në procedura të hapjes së konkursit për anëtarët e këtij komisioni.
Çështja e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës u riaktualizua në kohën e presidentes Atifete Jahjaga, e cila për të ndihmuar këtë kategori të shoqërisë, krijoi Këshillin Kombëtar, mekanizëm ky që edhe e udhëhoqi, REL.
Drejtoresha ekzekutive e Organizatës Joqeveritare “Medika” në Gjakovë, Mirlinda Sada, thotë për Radion Evropa e Lirë, se viktimat e dhunës seksuale janë të dëshpëruara nga i gjithë ky jo seriozitet i institucioneve.
“Me shumë vështirësi dhe me shumë përpjekje, kemi arritur që një numër të vogël të grave t’i bindim që të aplikojnë për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale. Për shkak të stigmës që ekziston në shoqërinë tonë, ne e kemi pasur vështirë t’i bindim ato. Dhe tani, pas gjithë këtyre përpjekjeve të dalim me një joseriozitet të tillë, është e vështirë për viktimat. Po fillon të shkatërrohet besimi i këtyre viktimave të dhunës seksuale të luftës”, thekson Sada.
Legjislacioni ku përfshihen viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka për qëllim rregullimin ligjor të statusit të viktimave, të cilat i kanë mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit gjatë periudhës së 27 shkurtit 1998 e deri më 20 qershor të vitit 1999.
Sipas ligjit, del se pensionet për personat e dhunuar gjatë luftës të jenë 300 euro, ndërsa këtë shumë besohet se mund ta përfitojnë 20 mijë viktima të abuzuara.