Kerry: Shumë afër pezullimit të bashkëpunimit me Rusinë në Siri – Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Kerry: Shumë afër pezullimit të bashkëpunimit me Rusinë në Siri

    Insajderi
    30 September 2016 - 00:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, tha sot se Uashingtoni është “buzë” suspendimit të bisedimeve me Rusinë, lidhur me bashkëpunimin në Siri, për shkak të ofensivës të forcave ruse dhe të qeverisë së Sirisë, e cila po vazhdon në qytetin Alepo.

    Zoti Kerry tha se sulmet ajrore, që i kanë vrarë mijëra civilë në lagjet që janë nën kontroll të kryengritësve në Alepo, gjatë 10 ditëve të kaluara, ishin “krejtësisht kundër ligjeve të luftës”.

    Moska i ka hedhur poshtë thirrjet e SHBA-ve për ta përfunduar sulmin në Alepo, duke thënë se forcat ajrore ruse do ta vazhdojnë mbështetjen për forcat qeveritare të Sirisë, që gjenden atje.

    Zëvendësministri i jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha se thirrjet e Shteteve të Bashkuara janë ekvivalente me mbështetjen e terrorizmit.

    Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha sot pas një bisede telefonike me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, se Rusia ka “përgjegjësi speciale për ndaljen e dhunës dhe për t’i dhënë rast procesit politik” në Siri.

    Zyra e zonjës Merkel ka njoftuar se presidenti Erdogan është pajtuar se “përsëritja evidente e dhunës kundër së drejtës ndërkombëtare humanitare” në Alepo është “e papranueshme” dhe se “armëpushimi është urgjentisht i nevojshëm më tepër se kurrë më parë”./REL


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Botë
    20 January 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark